Presidentja e KE-së propozon plan të ri për menaxhimin e refugjatëve në BE

Nga Exit News
Presidentja e KE-së propozon plan të ri për menaxhimin e refugjatëve në BE

Presidenta e Komisionit Europian Ursula von der Leyen prezantoi, të mërkurën, propozimin e ri për planin e BE-së për refugjatët.

Plani synon të sigurojë një strategji të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave që sjell vala e refugjatëve, veçanërisht në një moment si ky i krijuar së fundmi, me 13 mijë refugjatë të mbetur të pastrehë pas djegies së kampit të Morias në Greqi.

“Ne kemi krijuar një treg të brendshëm kompleks, një monedhë të përbashkët dhe një plan rigjenerimi të paparë për të rindërtuar ekonomitë tona. Tani është koha të ngrihemi te sfida për të menaxhuar migracionin së bashku, me ekuilibri i duhur midis solidaritetit dhe përgjegjësisë,” tha von der Leyen, në një deklaratë për gazetarët.

Propozimi i ri i KE-së ka tre shtylla kryesore:

Procedura më efikase dhe më të shpejta në kufijtë e jashtëm të BE-së. Në veçanti, Komisioni propozon futjen e kontrollit para hyrjes në vend të njerëzve. Përveç gjurmëve të gishtave, siç ndodh tani, kpntrolli do të përfshijë gjithashtu një kontroll shëndetësor dhe sigurie. Qëllimi është që të merren vendime më të shpejta në lidhje me dhënien e azilit apo kthimin e individit në vendin e tyre të origjinës.

Një mekanizëm i ri “solidariteti dhe përgjegjësie”. Komisioni synon të kapërcejë mosmarrëveshjet mbi rishpërndarjen e detyrueshme të azilkërkuesve, duke miratuar një sistem “kontributesh fleksibël” nga vendet e BE-së. Për shembull vendet që nuk duan të pranojnë aplikantë, mund të zgjedhin të menaxhojnë kthimin e njerëzve të cilëve u është refuzuar azili.

Kthimet. Të dhënat zyrtare të BE tregojnë se mesatarisht, afërsisht 370 mijë kërkesa për azil refuzohen çdo vit, por vetëm rreth një e treta e këtyre njerëzve përjashtohen nga blloku. Komisioni tani propozon emërimin e një Koordinatori të Kthimit, që do të fokusohet në ndjekjen e largimit të atyrë që refuzohen nga vendet e BE-së.

Von der Leyen tha se propozimi i KE-së ishte gjithëpërfshirës:

“Paketa pasqyron kompleksitetin e problemit pasi bashkon të gjitha aspektet e migrimit, menaxhimin dhe ruajtjen e kufirit, azilin dhe integrimin e tyre dhe kthimet, si dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.”

Që nga kulmi i krizës së refugjatëve në 2015-ën, çështja e refugjatëve ka nxitur disa nga ndarjet më të forta midis udhëheqësve të BE-së dhe përpjekjet e përsëritura për të rregulluar rregullat kanë dështuar në vitet e fundit.

Dallimet midis shteteve lindore të tilla si Hungaria dhe Polonia, të cilat kundërshtuan me vendosmëri çdo rishpërndarje të detyrueshme të azilkërkuesve dhe kombet bregdetare të vijës së parë si Greqia dhe Italia, të cilave u është dashur të menaxhojnë valët e refugjatëve që mbërrijnë në brigjet e tyre, deri më tani kanë qenë shumë të forta dhe tentativat për t’i zbutuar ato kanë dështuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>