Gjermanja Ursula von der Leyen do të jetë presidentja e re e Komisionit Europian, nga 31 tetor 2019. Ajo u zgjodh dje nga Parlamenti Europian, me 383 vota pro dhe 327 vota kundër.
Gjatë fjalimit të saj para eurodeputetëve, Ursula von der Leyen deklaroi se është pro hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Mendoj se duhet t’i drejtohemi më seriozisht Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kontekst do të përkushtohem tërësisht për hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo e fundit, është një “shembull i shkëlqyer” i progresit pozitiv.”
Një tjetër çështje delikate që pritet të marrë zgjidhje gjatë presidencës së Von Der Leyenit është ajo e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE, Brexit.
31 tetorin, datë kur merr zyrtarisht detyrën presidentja e re, Boris Johnson, i cili ka të ngjarë të jetë kryeministri i ardhshëm britanik, e ka quajtur si afatin e fundit kur do të nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE, me ose pa marrëveshje. Ndërsa Ursula von der Leyen ka deklaruar se do të jetë e hapur për të vazhduar edhe përtej 31 tetorit bisedimet me MB-në, nëse ka mjaftueshëm ‘arsye të mirë’.
Ursula von der Leyen do të jetë e para presidente femër e KE-së dhe gjermanja e parë që mban këtë post në 50 vitet e fundit. Ajo garoi e vetme për këtë post. Deri më tani ajo ka qenë Ministrja e Mbrojtjes në Gjermani, por dha dorëheqjen një ditë para votimit.