Pretendimet e pavërteta të Kryeministrit Rama për PPP-të

Pretendimet e pavërteta të Kryeministrit Rama për PPP-të

Një nga aksiomat kryesore të ekonomisë thotë se “nuk ka drekë falas” – pra, nuk mund të përfitosh nga diçka pa paguar gjithashtu një kosto.

Megjithatë, Kryeministri Edi Rama duket i vendosur ta sfidojë këtë aksiomë.

Dje , gjatë një interviste me gazetarin Artur Zheji, Kryeministri Rama deklaroi se kontratat e Partneritetit Publik Privat nuk rëndojnë mbi qytetarët:

“Nëse do të bëjmë vetë analizat, do të shpenzojmë mbi 5.3 milionë euro për të bërë 30 për qind të analizave. Ne marrim privatin që do të mbulojë të gjitha analizat dhe nuk do të paguajmë më 5.4 milionë euro për shërbim mizerabël, por 6.4 milionë euro për shërbim shumë më cilësor. Qytetarët do ta marrin shërbimin falas. Shërbimet kushtojnë, por barrën e merr përsipër shteti për ata që janë në nevojë në emër të solidaritetit që duhet t’i japim njerëzve.”

Pyetur nga Zoti Zheji nëse këto PPP janë borxh i fshehur, Kryeministri u përgjigj:

 “Jo! Sepse nuk është para që ne e marrim se këto lekë do t’i kemi në të ardhmen. Ne e garantojmë me 5 për qind të buxhetit tonë. Të gjitha partneritetet kanë zërin e tyre.”

Të dy pretendimet e Kryeministrit Rama se “qytetarët e marrin shërbimin falas” dhe se PPP nuk janë pjesë e borxhit janë të pavërtetata.

Qytetarët nuk marrin asgjë falas, sepse kompanitë private që përfitojnë kontratat e PPP-ve paguhen nga buxheti i shtetit, që janë para të taksapaguesve shqiptarë. Pra pavarësisht se qytetarët nuk paguajnë para në dorë në momentin që e marrin një shërbim, ata e kanë paguar atë përmes taksave.

Vetëm për tre PPP-të në shëndetësi,  Check–Up, sterilizimi dhe hemodializa do të kushtojnë të paktën 21.8 milionë euro në vit për të paktën 10 vite rresht.

PPP-të janë plotësisht një barrë mbi pasurinë e publikut, por thjesht mbështeten në rregulla pak më kreative të kontabilitetit në mënyrë që të mos shfaqen menjëherë si shpenzimet publike.

Për mospërfshirjen e PPP-ve si pjesë e borxhit publik nga Qeveria Rama, çka sjell ujen artificiale të borxhit, kanë reaguar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore:

Kritika kryesore e FMN-së është se pagesat e bëra nga shteti tek partnerët privatë, siç është rasti i Bashkisë Tiranë që do të paguajë subjektet private për ndërtimin e shkollave​, nuk reflektohen siç duhet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik:

“Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik.”

Në një artikull për PPP-të Johannes Estrada ka shpjeguar se një prej argumenteve më të përdorur për të justifikuar PPP-të është se qeveria është e kufizuar për momentin. Pra, qeveria dëshiron të bëjë investime publike të mëtejshme, por kjo nuk është e mundur për shkak të kostove dhe borxhit publik të lartë.

Sërish, ky argument nuk qëndron.

Aktualisht qeveria mund të marrë borxh me normën më të ulët të interesit historikisht (kjo edhe për shkak se investitorët privatë janë ende të frikësuar për të investuar)! Nëse ka një moment të denjë për të investuar në projekte publike fitimprurëse, është pikërisht ky! Përderisa investitorët privatë janë të gatshëm dhe po përfshihen në to, projektet duket se janë vërtetë rentabël dhe me të ardhura të sigurta!

PPP-të nuk janë më efiçente; ato thjesht krijojnë monopole

Dikush, me të drejtë, mund të pyesë: a nuk përdoren skemat e PPP-ve edhe nga shtetet më demokratike dhe transparente? Patjetër që po, por argumenti që ekonomistët klasikë ofronin nuk ishte kurrë i bazuar mbi mënjanimin e kostove publike.

Ndryshe nga Kryeministri Rama, ekonomistët ishin gjithmonë të vetëdijshëm se këto projekte përfshijnë kosto, dhe se këto skema nuk ishin një “drekë falas” thjesht sepse ata nuk shfaqen menjëherë si pjesë e borxhit publik.

Argumentit që ekonomistët ndiqnin për të mbrojtur PPP-të ishte efiçenca – sektori privat supozohet të jetë më i aftë për të përballuar lloje të caktuara shërbimesh e transaksionesh, veçanërisht në një mjedis konkurrues. Por a është ky rasti i Shqipërisë? Sigurisht që jo!

Në vend të nxitjes së një mjedisi konkurrues, PPP-të tona kanë krijuar më shumë monopole në sektorë të veçantë të ekonomisë. Ato kanë krijuar fitime të larta për disa individë, por kosto të lartë për pjesën tjetër të shoqërisë. Skemat tona të PPP-ve nuk janë përdorur për të nxitur konkurrencën dhe inovacionin në sektorin e veçantë, por thjesht i kanë eliminuar ato.

Herën tjetër që dëgjoni dikë të thotë se PPP-të janë “një drekë falas”, mos i besoni! Ne si pjesë e publikut, do përballemi me një kosto për këtë “drekë” në të ardhmen. Në vend të krijimit të një sektori privat dinamik, partneritetet publike private po përdoren për mbylljen e saj.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>