Prezantohet zyrtarisht ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim

Nga Exit News
Prezantohet zyrtarisht ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim

Ambasada amerikane në Tiranë prezantoi zyrtarisht ambasadoren e re Yuri Kim duke përcjellë në rrjetet sociale, fotografinë zyrtare, përshëndetjen e saj dhe biografinë.

Pas ditës së parë zyrtare në punë, ambasada postoi në Facebook duke e cituar ambasadoren Kim, të thoshte:

“Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”

Postimi shoqërohej me lidhje për në biografinë e ambasadores, e cila u botua sot në faqen zyrtare të Ambasadës.

Kim ka punuar për politikën e jashtme dhe sigurinë në Europën, Azi dhe Lindjen e Mesme. Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor.

Si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE). Më herët Ka qenë Ndihmëse e Posaçme e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe Ndihmëse e Posaçme e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Kim është ambasadorja e tretë grua në historinë e marrëdhënieve shtetërore mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Më parë SHBA-të i kanë përfaqësuar diplomatet Marisa Lino (1996-1999) dhe Marcie Berman Ries (2004-2007).

Si prioritete ajo ka paraqitur inkurajimin e reformave, forcimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ajo u betua më 8 janar për të marrë detyrën në vend të Donald Lusë, i cili u emërua vitin e shkuar Ambasador në Kirgistan.

Kim është zotuar të nxisë udhëheqësit e Shqipërisë të zgjidhin krizën politike, si e vetmja mënyrë për të forcuar perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>