Prishja e Teatrit Kombëtar—Të gjitha reagimet e ndërkombëtarëve

Nga Exit News
Prishja e Teatrit Kombëtar—Të gjitha reagimet e ndërkombëtarëve

Shembja e Teatrit Kombëtar ka nxitur reagim jo vetëm të qytetarët shqiptarë e institucionet shqiptare por edhe më tej.

Vetëm disa orë pas prishjes së Teatrit, reagimi i parë erdhi nga Europa Nostra e cila e konsideroi 17 majin si ditën më të trishtë për trashëgiminë kulturore dhe sundimin e ligjit. Europa Nostra kërkoi më pas dënimin e prishjes së Teatrit dhe vendet e BE. Sekretarja e Përgjithshme e Europa Nostrës, Sneška Quaedvlieg-Mihailović i kërkoi drejtuesve të Bashkimit Europian të dënojnë shembjen e Teatrit.

Reagime për prishjen e teatrit kanë ardhur dhe nga europarlamentarë e ambasada të huaja në vend.

Delegacioni i BE-së në Tiranë shprehu keqardhjen që Teatri Kombëtar u prish në një kohë kur pritej të bisedohej për çështjen e tij.

Ambasada britanike shprehu shqetësimin e humbjes së mundësisë për dialog në rastin e Teatrit Kombëtar dhe mbështet protestat paqësore. Kjo thirrja u mbështet dhe nga ambasadorja e Suedisë Elsa Hastad. Ndërkohë, ambasadori gjerman Peter Zingraf shprehu shqetësim se shembja e Teatrit Kombëtar ishte e nxituar.

Pas prishjes së Teatrit Kombëtar, europarlamentarët Michael Gahler dhe David Lega i kërkuan kryeministrit Rama të ndalojë prishjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar dhe dhunën ndaj protestuesve. Ndërkohë europarlamentarja Ramona Strugariu, e konsideroi prishjen e Teatrit Kombëtar si krim kundër trashëgimisë kulturore.

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të kancelares Merkel, Johann Wadephul ka vënë në pikëpyetje hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se nuk i takon BE-së të vendosë për Teatrin Kombëtar të një vendi.

Zëvendës Presidenti i Partive Popullore Europiane (PPE) Andrey Kovatchev deklaroi se veprimet e fundit të qeverisë janë të diskutueshme dhe dhuna ndaj protestuesve ‘është për të ardhur keq’.

Reagim për prishje  e Teatrit Kombëtar ka ardhur dhe nga Kosova. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani shprehën mbështetjen për të gjithë artistët e Teatrit Kombëtar, të cilët kundërshtuan prishjen e tij.

Disa organizata ndërkombëtare kanë kundërshtuar prishjen e Teatrit. Unioni Ndërkombëtar Demokrat (IDU) dënoi shembjen e Teatrit Kombëtar nga qeveria shqiptare në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme.

Zyra në Shqipëri e Fondacionit gjerman Konrad Adenauer (KAS) lëshoi një raport që përshkruan rritjen alarmante të autoritarizmit në vend gjatë pandemisë koronavirus, e cila kulmoi në operacioni e prishjes së Teatrit Kombëtar.

David Philips, profesor në Universitetin e Kolumbias e quajti situatën e krijuar me Teatrin Kombëtar një turp të madh.

 

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme