Prishtina marshon “kundër patriarkatit që vret” në ditën ndërkombëtare të gruas

Nga Exit News
Prishtina marshon “kundër patriarkatit që vret” në ditën ndërkombëtare të gruas

Qindra persona marshuan të hënën në ditën ndërkombëtare të gruas në Prishtinë.

Ata kërkuan t’u jepet fund, vrasjeve të grave dhe kërkuan barazi sociale, ekonomike dhe politike për gratë në Kosovë.

Nën sloganin “Kundër Patriarkatit që vret”, qytetarë e aktivistë marshuan në qendër të Prishtinës.

Kolektivi “Marshojmë S’festojmë”  i cili njoftoi protestën tha se  “ne marshojmë sepse nuk duam të festojmë ndërsa vajzat dhe gratë vriten. Së bashku, ne i rezistojmë patriarkatit që vazhdon të marrë jetën e shumë grave në Kosovë ”.

Protestuesit u ndalën para selisë së Policisë së Kosovës në Prishtinë.

“Drejtësi për gratë e vrara”, thirrën ata në lidhje me dështimin të policisë për të mbrojtur gratë, veçanërisht në vrasjet e Zejnepe Bytyqi Berishës dhe Diana Kastratit.

Gjashtë gra janë vrarë në Kosovë gjatë vitit të fundit, ndërsa 1,596 raste të dhunës në familje janë regjistruar midis janarit dhe shtatorit 2020.

H Parullat
H Parullat
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje ishin po ashtu të pranishëm në këtë marshim. Përmes një shënimi në Facebook, lideri i saj Albin Kurti shpërndau foto nga tubimi duke shkruar se “sot e çdo ditë duhet ta njohim kontributin e grave që nuk janë më dhe të luftojmë bashkë me gratë për më shumë të drejta. Barra shumë të mëdha u janë lënë grave”.

Ai premtoi se qeveria e tij “do të jetë e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë dhe e përkrahin jetën dhe përvojat e grave”.

“Qofshin gra punëtore, të papuna, gra rome, të varfra, në kohën kur lindin, apo kur nuk duan të lindin, kur kërkojnë punë apo kur diskriminohen në punë. Prej punëve të shtëpisë e deri te përgjegjësitë institucionale, le ta bëjmë Kosovën më të barabartë”, tha Kurti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>