Mësohet se kompania EUROSIG e themeluar kohë më parë nga biznesmeni kosovar Ekrem Lluka, në ortakëri për disa vjet me Ministrin aktual të Energjisë Damjan Gjiknuri dhe vëllain e tij, sot e kontrolluar nga Kadri Morina, i ka paguar Ministrisë së Financave shumën prej 2,22 miliardë lekë të nevojshme për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë shtetërore të sigurimeve INSIG.
Pas kësaj pagese, problemi i EUROSIG-ut është të marrë autorizimet nga organet e mbikqyrjes financiare dhe të konkruencës në vendet ku vepron INSIG — Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. (Tregu i sigurimeve është subjekt i një sistemi kontrolli dhe autorizimi të njëjtë me atë të bankave, i cili duhet t’u sigurojë klientëve në tërësi qëndrueshmërinë financiare të kompanive të autorizuara për të vepruar.)
Autorizimet nuk do të jenë të lehta për t’u marrë, nëse kihet parasysh hendeku i madh mes të ardhurave të shoqërisë blerëse dhe shumës prej 2,22 miliardë lekë që ajo ka paguar për blerjen e INSIG-ut.
Në fund të vitit 2014, shoqëria EUROSIG nuk kishte mjete të mjaftueshme financiare në buxhetin e saj për ta paguar një shumë të tillë, duke qënë se veprimataritë financiare të kompanisë për vitet 2012, 2013 dhe 2014 janë mbyllur me një humbje totale prej 220 milionë lekë (më shumë se 1,5 milionë euro). E gjithë xhiroja vjetore për vitin 2014 e kompanisë ishte rreth 1,18 miliardë lekë (me pak se 9 milionë euro) dhe totali i aktiveve (përfshi garancitë e depozitave) rreth 1,5 miliardë lekë.
Ka të paktën pesë vjet që shoqëria nuk përmbush kushtet ligjore për mbulimin e rezervave teknike, pra nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar volumin e rreziqeve që kompania siguron.
Për më tepër, në vitin 2015, EUROSIG bleu shoqërinë e sigurimeve kosovare DARDANIA—e riemërtuar EUROSIG Kosova—për rreth 3 milionë euro, pagesë e mjaftueshme për për të venë në rrezik shoqërinë.
Detyra e AMF-së është të garantojë që shoqëria blerëse e INSIG-ut ka qëndrueshmëri financiare të mjaftueshme për të përfunduar operacionin. Për këtë qëllim, AMF mund ta detyrojë EUROSIG-un të rrisë kapitalin e saj aksioner në një vlerë të konsiderueshme—me siguri më të lartë se 1 miliardë lekë—duke mos lejuar marrjen borxhit bankar që do të rrezikonte mundësitë e EUROSIG për të paguar dëmet e mundshme të klientëve të siguruar.
Por një rritje e mundshme e kapitalit do të ishte e vështirë të përkrahej nga ortakët kryesorë të tanishëm, duke qënë se aktualisht më tepër se 95 për qind e kapitalit të EUROSIG-ut zotërohet nga Kadri Morina dhe nga Euro-Alfa (edhe kjo në pronësi të Morinës, por formalisht e shitur një të afërmi të tij)—të dy këto subjekte janë në borxhe miliona euro me bankat e nivelit të dytë (në veçanti me bankat greke) deri në pikën që kuotat e aktiviteteve të tyre janë bllokuar shpesh herë nga përmbaruesit gjyqësorë dhe kohët e fundit edhe nga Drejtoria e Tatimeve.
Në këto kushte shtrohen mund të shtrohen dy pyetje të rëndësishme. Si mundet që Ministria e Financave ja ka shitur një kompani shtetërore një subjekti i cili është në pronësi të subjekteve debitorë ndaj administratës tatimore? Si mundet që AMF-ja të autorizojë shitjen e një kompanie sigurimesh tek një kompani tjetër e cila është shumë e nën kapitalizuar?