Probleme me kurrikulën, librat e historisë nuk flasin për krimet e komunizmit

Probleme me kurrikulën, librat e historisë nuk flasin për krimet e komunizmit

Mbi tre të katërtat e mësuesve të historisë në Shqipëri pohojnë se aspekte domethënëse të diktaturës si krimet, mënyrat e dënimeve, torturave, apo numri i viktimave që shkaktoi regjimi nuk trajtohen në tekstet shkollore. Represioni, qëndresa antikomuniste, jeta e përditshme dhe rrëfimet e dëshmitarëve janë gjithashtu pak të pranishme në orët e histories, ndërsa mbi 30 për qind e tyre pranojnë se nuk u kushtojnë rëndësi veprimtarive ndërkurrikulare.

Këto ishin disa nga gjetjet e një anketimi të përpiluar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) me rreth 350 mësues – 77 për qind gra, 23 për qind burra – nga 13 qytete të Shqipërisë.

Nga të pyeturit, 55 për qind e tyre ishte mbi 41 vjeç, çka do të thotë se ata kanë një kujtesë personale nga ndryshimet e sistemit në fillim të viteve ’90.

Megjithatë anketimi tregoi se vetëm 20 për qind e mësuesve cilësuan Lëvizjen Studentore të Dhjetorit si ngjarje të rëndësishme historike për periudhën e komunizmit, ndërkohë që pothuajse 25 për qind e të pyeturve nuk ishin në gjendje të identifikonin data të rëndësishme të qëndresës ndaj diktaturës.

Anketimi vë në dukje problemet që ka kurrikula dhe përgatitja e mësuesve të historisë në shkolla për sa i përket edukimit mbi të shkuarën. Në një intervistë për emisionin Wake Up në Top-Channel, drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, tha se nevojitet një qasje më e kujdesshme në mënyrë që brezat e rinj të jenë më të ndërgjegjshëm për atë se çfarë ka ndodhur në diktaturë.

Godole tregoi se që prej vitit 2015, kur IDMC nisi të zhvillonte për herë të parë vizitat studimore me nxënësit, ishte vënë në dukje fakti se një mundësi e tillë u duhet dhënë edhe mësuesve, të cilët, sipas ekspertes së historisë shkollore Fatmiroshe Xhemalaj duhet ta prekin nga afër historinë.

Godole e Xhemalaj theksuan se duhet punuar shumë edhe me tekste plotësuese, një shembull i tillë është “Komunizmi përmes dokumenteve arkivore”, punuar nga IDMC dhe mësues të historisë.

Për çështjen e kurrikulës shkollore IDMC, me mbështetje të fondacionit gjerman Konrad Adenauer, ka organizuar konferencë ndërkombëtare me studiues të njohur vendas e të huaj. Profesorë si Przemysław Gasztold, Ulrich Bongertman, Radu Preda nga Gjermania, Rumania dhe Polonia do të sjellin në Shqipëri përvojën e këtyre vendeve në reflektimin e historisë në kurrikulat shkollore.

Konferenca mbahet të premten më 14 shkurt, ora 9:00 në Hotel Tirana dhe zhvillohet në kuadër të edicionit të pestë të Ditëve të Kujtesës, aktivitetet e së cilës zgjasin deri më 20 shkurt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>