Matura e sivjetshme ishte problematike për arsye që janë stërthënë këto kohë. Në këtë shkrim do t’i përdor ato si pikënisje për t’i shkuar më në thelb dhe më në detaje disa problemeve që në këndvështrimin tim kanë dy karakteristika të përbashkëta: janë serioze, por duan më shumë vullnet sesa para për t’u zgjidhur.
Kurrikula strategjike
Problemi më i përfolur i maturës së sivjetshme ishte “ndryshimi i rregullave përgjatë lojës dhe mungesa e informacionit”. Pa asnjë dyshim, sikur edhe mrekullinë të bënin këto ndryshime, teknikisht nuk duhet të ishin aplikuar për maturantët e sivjetshëm.
Po parimisht? Parimisht, mendoj se ky problem u nxorr në pah dhe u shfaq kaq shumë për shkak të natyrës komplekse që ka kurrikula e gjimnazit. Qoftë me mënyrën e vjetër (lëndët me zgjedhje dhe koeficientët), qoftë me mënyrën e re (gruplëndët), kjo kurrikul e nxit nxënësin të bëjë zgjedhje strategjike që në fillim dhe përgjatë gjithë gjimnazit.
Thënë ndryshe, nxënësi duhet ta ketë në kokë që kur nis gjimnazin se ç’degë do të studiojë në mënyrë që të zgjedhë si duhet lëndët me zgjedhje, të cilat ndikonin nëpërmjet koeficientëve te skema e vjetër dhe nëpërmjet peshës së gruplëndëve te skema e re.
Përse duhet të jetë kështu? A nuk është shkolla e mesme vendi ku shumica e nxënësve zbulojnë se për çfarë duan të studiojnë? Ç’të keqe do kishte sikur një nxënës të zgjidhte letërsi të avancuar në vitin e parë, kimi të thelluar në vitin e dytë dhe filozofi me fizikë të avancuar në të tretin? A nuk do ishte ky nxënës që i ka eksploruar të gjitha fushat ku ka qenë kurioz më i bindur për atë që pëlqen më shumë sesa nxënësit që zgjedhin matematikë të thelluar tre vite, sepse skemat i disfovarizojnë në fund për të shkuar në mjeksi (ku për ironi nuk bëhet asnjë orë matematikë në gjashtë vite).
Mendoj se kurrikula e gjimnazit mund të jetë më thjeshtë e organizuar. Ndoshta me më pak lëndë si numër, por me më shumë ndarje thelbësore. Një kurrikul që t’i japi mundësinë nxënësve të eksplorojnë disa prej fushave ku mendojnë se kanë prirje, por pa i penalizuar në fund me detaje burokratike. Gjithësesi, do të duheshin analiza më të thella sesa ky shkrim për të dhënë zgjidhje alternative më të detajuara të këtij problemi.
Ndërlidhja e cikleve, fiktiviteti, dhe keqadministrimi
Pjesa e dytë e problemit themelor ishte informimi. Përgjegjësinë më të madhe sesa për informimin masiv të maturantëve për skemën e re, ministria e ka për mosinformimin e universiteteve, disa prej të cilëve bënë pjesë të grupëlëndëve lëndë që jo të gjithë maturantët i kishin bërë për arsye që përsëri janë stërthënë.
Problem i dukshëm është se nuk pati një ndërlidhje midis arsimit parauniversitar dhe universitar. Ministria e quajti “autonomi universitare”, universitetet e quajtën “s’u ankua njeri” dhe llagapi i një problemi kaq të thjeshtë për t’u parandaluar (një e-mail universiteteve që gruplëndët duhet të ishin nga kurrikula bërthamë) iu vu “s’u ankua njeri për autonominë universitare”. Ah, sa i bukur!
Problemi i informimit nxorri në pah edhe një problem, këtë rradhë nga vetë maturantët. Pasi u informuan mirë sesi funksiononte skema e re, disa prej tyre, gjimnazistë të Tiranës, i dëgjova të ankoheshin para pak ditësh se skema e re i favorizon gjimnazistët e rretheve, sepse notat e gruplëndëve i kanë më të larta për shkak se kërkesa e llogarisë atje është më e ulët. Me skemën e vjetër ankoheshin se në rrethe kopjohet më shumë në provimet e maturës. Ndarje të tilla janë krejt subjektive dhe të parëndësishme në cilësinë e argumentit.
Ato që mbeten nga këto komente dhe duhet të na shqetësojnë janë dy gjëra: fiktiviteti masiv në vlerësimin e nxënësve nëpër gjimnaze dhe paaftësinë e institucioneve arsimore për të administruar me korrektësinë e duhur provime si matura shtetërore.
Për ta ilustruar fiktivitetin, mjafton që disa prej degëve më të kërkuara të fakulteteve të nxjerrin statistika sesa përqind e studentëve (kryesisht ish nxënës me dhjeta në gjimnaz) ngelin në lëndët e vitit të parë që janë vazhdim i disa lëndëve të gjimnazit. Nëse kjo nuk mjafton, le të nxjerrin edhe sesa përqind e studentëve bien nga mesatarja e përgjithshme e gjimnazit krahasuar me atë të viteve të para të studimeve.
Për administrimin korrekt të maturës prova është më e thjeshtë. Mjafton të konktaktoni faqet me shumë ndjekës që t’ju japin një informacion më të detajuar se sa minuta pas fillimit të provimit dalin tezat. Fiktiviteti nga njëra anë dhe të lejuarit e të kopjuarit nga ana tjetër, nuk janë probleme që prodhojnë rezultate joreale në pikët e matures siç ankohen disa nga maturantët, por ndikojnë në formimin e individëve që nuk janë realist me vetet e tyre, qytetarëve jo të ndershëm dhe formësimin e shoqërisë së alishverisheve