Javën e parë pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Rama deklaroi se kishte vendosur të ndërtonte të paktën 3 lagje të reja në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës. Lagjet i pagëzoi si “Lagjet e Rilindjes”. Dy muaj më vonë, duke përfituar nga situata e gjendjes së zgjatur të fatkeqësisë natyrore, projekti duket se po zgjerohet për më shumë se “3 lagje”.
Përmes ndryshimit të një ligji, një Akti Normativ dhe VKM-je, qeveria i ka hapur rrugë zgjerimit të projektit për “Lagje të Rilindjes”, sidomos në Tiranë, ku prishjet e disa pallateve e ndërtesave – si në Kombinat – janë parashikuar që në masterplanin Tirana 2030 (TR2030), miratuar në dhjetor 2016.
Nëse në masterplanin “TR2030” prishjet justifikoheshin me zhvillimin e kryeqytetit, tashmë ato po justifikohen me dëmtimet prej tërmeteve.
Deri më sot qeveria ka parashikuar të paktën 25 zona rindërtimi, 9 prej të cilave në Tiranë. Nuk janë dhënë detaje për shtrirjen e zonave dhe fatet e godinave të dëmtuara, që mund të ndodhen në to. Kjo ngre dyshim se programi i rindërtimit po shkon paralelisht me synimin për të hapur sa më tepër kantiere ndërtimi.
Ky synim fshihet në faktin se qeveria e bazon Programin e Rindërtimit në praktika “zhvillimi të detyruara” me plane dhe prishje të detyruara.
Ligji, Akti Normativ dhe VKM-ja që i hap rrugë “Lagjeve të Rilindjes”:
Përmes një VKM-je – të 24 dhjetorit 2019 – qeveria ka vendosur që:
- bashkitë dhe qeveria të hartojnë dhe miratojnë plane të detyruara vendore, si dhe lejet përkatëse për zhvillimet e ndërtimeve;
- bashkitë duhet të identifikojnë zonat, të cilat do t’i nënshtrohen planit të detyruar vendor
(kliko këtu për të parë VKM-në).
Me Akt Normativ të 16 dhjetorit, “plan i detyruar vendor” cilësohet:
“[…] dokument planifikimi që hartojnë bashkitë dhe qeveria, […] që përcakton kushtet për zhvillim të detyruar, si dhe zhvillimin e zonave të reja.”
(kliko këtu për të parë Aktin Normativ).
Ndërsa “zhvillim i detyruar” konsiderohet:
“[…] e drejta e autoriteteteve për të vendosur prishjen e ndërtesave dhe zhvillimin e territorit ku ndodhen […] si rezultat i dëmtimit të tyre nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore që rrezikon jetën e banorëve dhe zhvillimin e zonës në përputhje me planin e detyruar vendor”.
“Prishja e detyruar” bëhet kur:
“[…] ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur përbën rrezik për jetën, sipas përfundimeve në aktkonstatime apo aktvlerësime […] si dhe nëse riparimi kushton më shumë se ndërtimi nga e para […] edhe pa pëlqimin e pronarëve”.
VKM-ja e 24 dhjetorit parashikon që pasi qeveria të shpallë një zonë të re për zhvillim, bashkitë të hartojnë brenda 30 ditësh planin e detyruar vendor (PDV). Ky plan më pas i paraqitet “për njohje” Këshillit Kombëtar të Territorit, organ kolegjial ky i qeverisë dhe që kryesohet nga Kryeministri.
PDV duhet më pas të integrohet me planin e përgjithshëm vendor. VKM-ja e 24 dhjetorit parashikon edhe procedura të përshpejtuara për shqyrtimin dhe miratimin e lejeve të ndërtimit.
Praktikisht gjithçka gati për ndërhyrje si në rastin e Vorës, ku Kryeministri Rama ka thënë se “do të rindërtohet nga e para”.
Po kështu, me ndryshimet e miratuara së fundmi në ligjin për kontrollin e ndërtesave, qeveria ka marrë përsipër të diktojë kontrolle të ndërtesave të ndërtuara më shumë se 50 vite më parë – Neni 2, kliko këtu për të parë ligjin.
Kështu “Lagjet e Rilindjes” mund të shtrihen edhe në zona si Tirana e Re, Kombinati, apo periferitë e Tiranës, ku janë vendosur lagje me pallate të vjetra.
Nuk ka asgjë të keqe nëse synimi është rindërtimi i pallateve të vjetra, e keqja në këtë mes është mungesa e transparencës dhe miksimi i këtij projekti me programin e rindërtimit.