Programi i rindërtimit, nga 3 ‘Lagje të Rilindjes’ në 25 zona rindërtimi

Nga Gerard Gega
Programi i rindërtimit, nga 3 ‘Lagje të Rilindjes’ në 25 zona rindërtimi

Javën e parë pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Rama deklaroi se kishte vendosur të ndërtonte të paktën 3 lagje të reja në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës. Lagjet i pagëzoi si “Lagjet e Rilindjes”. Dy muaj më vonë, duke përfituar nga situata e gjendjes së zgjatur të fatkeqësisë natyrore, projekti duket se po zgjerohet për më shumë se “3 lagje”.

Përmes ndryshimit të një ligji, një Akti Normativ dhe VKM-je, qeveria i ka hapur rrugë zgjerimit të projektit për “Lagje të Rilindjes”, sidomos në Tiranë, ku prishjet e disa pallateve e ndërtesave – si në Kombinat – janë parashikuar që në masterplanin Tirana 2030 (TR2030), miratuar në dhjetor 2016.

Nëse në masterplanin “TR2030” prishjet justifikoheshin me zhvillimin e kryeqytetit, tashmë ato po justifikohen me dëmtimet prej tërmeteve.

Deri më sot qeveria ka parashikuar të paktën 25 zona rindërtimi, 9 prej të cilave në Tiranë. Nuk janë dhënë detaje për shtrirjen e zonave dhe fatet e godinave të dëmtuara, që mund të ndodhen në to. Kjo ngre dyshim se programi i rindërtimit po shkon paralelisht me synimin për të hapur sa më tepër kantiere ndërtimi.

Ky synim fshihet në faktin se qeveria e bazon Programin e Rindërtimit në praktika “zhvillimi të detyruara” me plane dhe prishje të detyruara.

Ligji, Akti Normativ dhe VKM-ja që i hap rrugë “Lagjeve të Rilindjes”:

Përmes një VKM-je – të 24 dhjetorit 2019 – qeveria ka vendosur që:

  • bashkitë dhe qeveria të hartojnë dhe miratojnë plane të detyruara vendore, si dhe lejet përkatëse për zhvillimet e ndërtimeve;
  • bashkitë duhet të identifikojnë zonat, të cilat do t’i nënshtrohen planit të detyruar vendor
    (kliko këtu për të parë VKM-në).

Me Akt Normativ të 16 dhjetorit, “plan i detyruar vendor” cilësohet:

“[…] dokument planifikimi që hartojnë bashkitë dhe qeveria, […] që përcakton kushtet për zhvillim të detyruar, si dhe zhvillimin e zonave të reja.”
(kliko këtu për të parë Aktin Normativ).

Ndërsa “zhvillim i detyruar” konsiderohet:

“[…] e drejta e autoriteteteve për të vendosur prishjen e ndërtesave dhe zhvillimin e territorit ku ndodhen […] si rezultat i dëmtimit të tyre nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore që rrezikon jetën e banorëve dhe zhvillimin e zonës në përputhje me planin e detyruar vendor”.

“Prishja e detyruar” bëhet kur:

“[…] ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur përbën rrezik për jetën, sipas përfundimeve në aktkonstatime apo aktvlerësime […] si dhe nëse riparimi kushton më shumë se ndërtimi nga e para […] edhe pa pëlqimin e pronarëve”.

VKM-ja e 24 dhjetorit parashikon që pasi qeveria të shpallë një zonë të re për zhvillim, bashkitë të hartojnë brenda 30 ditësh planin e detyruar vendor (PDV). Ky plan më pas i paraqitet “për njohje” Këshillit Kombëtar të Territorit, organ kolegjial ky i qeverisë dhe që kryesohet nga Kryeministri.

PDV duhet më pas të integrohet me planin e përgjithshëm vendor. VKM-ja e 24 dhjetorit parashikon edhe procedura të përshpejtuara për shqyrtimin dhe miratimin e lejeve të ndërtimit.

Praktikisht gjithçka gati për ndërhyrje si në rastin e Vorës, ku Kryeministri Rama ka thënë se “do të rindërtohet nga e para”.

Po kështu, me ndryshimet e miratuara së fundmi në ligjin për kontrollin e ndërtesave, qeveria ka marrë përsipër të diktojë kontrolle të ndërtesave të ndërtuara më shumë se 50 vite më parë – Neni 2, kliko këtu për të parë ligjin.

Kështu “Lagjet e Rilindjes” mund të shtrihen edhe në zona si Tirana e Re, Kombinati, apo periferitë e Tiranës, ku janë vendosur lagje me pallate të vjetra.

Nuk ka asgjë të keqe nëse synimi është rindërtimi i pallateve të vjetra, e keqja në këtë mes është mungesa e transparencës dhe miksimi i këtij projekti me programin e rindërtimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>