Projektet “zhvilluese” të Tiranës do të vazhdojnë. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Ditjon Baboçi, Drejtori i Planifikimit të Territorit në bashkinë e Tiranës, kohët e fundit kanë deklaruar se një rrugë e re së shpejti do të ri-zhvillohet në mënyrë që të ketë trafik të kufizuar.
Sikurse Exit.al ka raportuar më parë, Rruga Luigj Gurakuqi, e cila aktualisht lidh Sheshin Skënderbej me Pazarin e Ri, do t’i nënshtrohet një transformimi rrënjësor. Zyrtarisht, qëllimi i këtij investimi është lidhja e dy projekteve të rëndësishme që kanë përfunduar së fundmi. Por përtej paketimit zyrtar, projekti është vazhdim i një procesi të ngadaltë që izolon pronarët e tanishëm të banesave dhe trojeve, duke i bërë pronat e tyre të vështira për t’u përdorur. Si pasojë, vlera e tregut të këtyre banesave do të ulet ndjeshëm, duke i hapur rrugën blerjes së tyre nga oligarkët e zakonshëm, për t’i zëvendësuar më pas me ndërtime të larta fitim-prurëse.
Mbyllja ose kufizimi i Rrugës Luigj Gurakuqi është një nga shumë projektet që po synojnë në mënyrë të ngadaltë të njëjtin rezultat, në përputhje me atë që Stefano Boeri, arkitekti përgjegjës për masterplanin e Tiranës, e ka quajtur “nevojën për prishjen e ndërtesave të vjetra të kohës komuniste”.
Çfarë po ndodh në të gjithë Tiranën?
Fillimisht, duhet të kthejmë kokën prapa dhe të kuptojmë pse qyteti është bërë kaq i vështirë për t’u menaxhuar. Zonat qendrore të Tiranës deri në vitet ’90-të ishin të dominuara nga blloqet komuniste të banesave, pallate apartamentesh të epokës komuniste, në simetri ekstreme dhe shumë të ngjashme me njëra tjetrën, siç duket në fotografinë më poshtë. Pallatet ishin më së shumti 4-5 katësh, me hapësira të gjera publike në mes të çdo blloku. Pjesa tjetër e qytetit ishte e ndërtuar me “shtëpi private”, godina 1-2 katëshe në pronësi të një familje apo disa familjeve, shumica të trashëguara nga periudha osmane dhe italiane. Këto banesa ishin të lidhura me pjesën tjetër të qytetit përmes rrugicave të ngushta. Meqenëse dendësia e popullsisë në këto zona ishte e ulët, këto rrugë të ngushta ishin gjithsesi të mjaftueshme për qarkullimin normal.
Blloqet komuniste ishin tipike në të gjithë Evropën Lindore. Inxhinierët dhe urbanistët e Shqipërisë thjesht imituan atë që kishin parë në vende të tjera aleate të kohës.
Hapësirat publike ndërmjet blloqeve ishin planifikuar për t’i shërbyer qëllimeve të shumëfishta. Ato përdoreshin jo vetëm për aktivitete rekreative, por gjithashtu shërbenin si pikat kryesore të parkimit dhe hyrjes për ndërtesat. Në këtë mënyrë, rrugët kryesore të qytetit mund të funksiononin pa pengesa, me makina që parkonin ose ndalin përgjatë tyre, duke krijuar kështu një rrjedhje optimale të trafikut.
Në përgjithësi, asnjë nga blloqet e vjetra komuniste nuk ka ndryshuar shumë. Blloqet e famshme 61-63 të Beogradit vazhdojnë të ruajnë të gjithë hapësirën publike që kishin dikur, siç tregon fotografia e mëposhtme. Banorët ende gëzojnë lehtësitë që ofron blloku i tyre, siç ishte planifikuar dikur. I njëjti proces mund të shihet në shumë qytete ish-komuniste, ku blloqet komuniste vazhdojnë të ruajnë hapësirat e tyre publike,duke respektuar planin urbanistik të mëparshëm.
Tirana, nga ana tjetër, është një histori krejtësisht e ndryshme. Jo vetëm që ish-hapësirat publike u pushtuan nga ndërtesa të reja, falë proceseve ligjore shpesh të dyshimta. Akoma më tej, ndërtesat e reja janë shumë herë më të mëdha se vetë blloqet origjinale, duke mos ruajtur aspak simetrinë e mëparshme. Nga një këndvështrim estetik, kjo krijoi një pamje të shëmtuar që është menjëherë e dukshme kur viziton qytetin. Më e rëndësishmja ama, banorët e blloqeve të vjetra u detyruan të përdorin rrugët kryesore qoftë për si hapësirë parkimit e qoftë si pike hyrje në godinë. Ndërtesat e reja kanë mbytur, dhe ndonjëherë bllokuar haptazi, rrugët e vogla që ekzistonin brenda blloqeve. Për të lehtësuar këtë procesi, gjatë mandateve të para të Edi Ramës si kryetar i bashkisë së Tiranës, rrugët kryesore të qytetit u zgjeruan duke ndihmuar banorët më të vjetër. Ndërkohë, ndërtimi u intensifikua edhe më tej brenda blloqeve të banimit.
Duhet të përmendet se një zhvillim i tillë do të ishte i paligjshëm në çdo vend të zhvilluar. Planet urbanistike apo ligjet e zonimit shërbejnë si një kontratë midis pronarëve dhe drejtuesve të qytetit, me qëllim ruajtjen kështu të vlerës së një investimi edhe në të ardhmen. Kjo, sepse vlera e një prone nuk përcaktohet vetëm nga ajo vetë, por edhe nga zhvillimet përreth saj. Planet urbanistike janë kësisoj aplikimi praktik i të drejtës themelore kushtetuese të kapitalizmit, e drejta për pronën private dhe mbrojtjen e vlerës së saj.
Nëse autoritetet e qytetit lejojnë ndërtime që shkelin ndopak karakteristikat origjinale të një lagjeje banimi, ata janë të detyruar ose të kompensojnë pronarët ekzistues, ose të shpronësojnë të gjithë zonën sipas çmimeve të tregut dhe më pas ta ri-zhvillojnë tërësisht. Për këtë arsye, në vend që të kalojnë nëpër këtë proces të vështirë ligjor, shumica e qyteteve thjesht zgjerohen përtej kufijve ekzistues. Kjo është arsyeja pse të gjitha qendrat e reja të biznesit në Evropë janë të vendosura në zona larg qendrës historike. Zhvillimi brenda zonave të vjetra do të krijonte një situatë thuajse të pamundur ligjore, e jo thjesht debat për trashëgiminë kulturore të tyre.
Çfarë është duke bërë tani Bashkia Tiranë?
Nëpërmjet projekteve të reja si korsitë e biçikletave apo zonat e këmbësorëve, Bashkia në të vërtetë po eliminon edhe zonat e fundit të mbetura për parkim nga banorët, por dhe pikat e hyrjes në pallatet e vjetra komuniste. E njëjta histori vlen edhe për “shtëpitë private” që i kanë rezistuar kohës e ende nuk janë shembur. Edhe njëherë, jo vetëm që tashmë është e pamundur që banorët të parkojnë pranë banesave të tyre, në një qytet me pak ose aspak transport publik të përshtatshëm, por është gjithashtu e pamundur që ata, ose vizitorët e tyre, të mund të ndalojnë sa për të hyrë në banesat e tyre. Megjithëse Bashkia pretendon se kjo po bëhet për të ulur përdorimin e makinës, siç e kemi provuar, ky është një tjetër mit absurd. Në thelb, këto projekte, po i bëjnë pallatet me apartamente dhe shtëpitë e vjetra të papërdorshme.
Në fakt, ky është edhe qëllimi i vërtetë i projektit më të fundi të propozuar, “ri-zhvillimi” i Rrugës Luigj Gurakuqi. Qendra e qytetit, e cila ishte një nga zonat më të mirë-planifikuara të të gjithë qytetit, me rrugë dhe trotuare mjaft të gjera, po ri-zhvillohet për të rritur “lëvizjen në këmbë”, edhe pse aktualisht zona i ka të gjitha lehtësitë e nevojshme për një qëllim të tillë. Duke bllokuar këtë rrugë të fundit, dy lagje të mëdha (9-katëshet e “kollonat”, dhe pallatet nga ish-kinema Partizani deri te Pazari i Ri) do të kenë mundësi përdorimi të një rruge të vetme, me një drejtim qarkullimi, ku parkimi dhe ndalimi nuk lejohet. Duke bllokuar të gjithë rrugët e vjetra, tani e tërë zona është pothuajse e pamundur të përdoret nga automjetet dhe kështu do të izolohet përgjithmonë.
Duket si skenar i tmerrshëm konspirativ—pse duhet ta bënin diçka të tillë?
Përgjigja e thjeshtë, si gjithmonë, është: ndiqni paratë. Siç e kam shpjeguar në shkrimin për masterplanin e ri, Bashkia Tiranë dhe firmat e mëdha të ndërtimit nuk kanë interes të zgjerojnë qytetin, edhe pse ky është rezultati më i mirë për shoqërinë. Periferia e Tiranës është zhvilluar në mënyrë kaotike, pa asnjë plan urbanistik apo infrastrukturë të përshtatshme, dhe përbëhet kryesisht në shtëpi private. Do të ishte optimale për të tërë urbanizimi i këtyre zonave dhe gjithashtu zhvillim i tyre me një densitet të mesëm banimi. Kjo do të shpërhapte popullsinë e qytetit në një shpërndarje më të barabartë. Por kjo nuk është e leverdishme për ndërtuesit, dhe për këtë arsye nuk është e vlefshme për politikanët që i mbrojnë ata, për tri arsye:
1. Ndërtimet e reja jashtë qendrës nuk do janë të vlefshme në periudhën afatshkurtër. Vlera mund të rritet në të ardhmen, teksa qyteti zgjerohet dhe zonat e reja fitojnë rëndësi. Por për sektorin e ndërtimit, dhe politikanët prapa tij, likuiditeti është çelësi i kësaj loje. Duhet para dhe duhet sa më shpejt për të financuar fushatat dhe operacionet e vazhdueshme politike. Pse duhet të presin për fitime të mëdha në të ardhmen, kur mund të ndërtohet në qendër që tani ku fitimet janë shumë më të larta?!
2. Zgjerimi i qytetit do të kërkonte shpenzime shtesë, nga fonde publike ose private, për të përmirësuar infrastrukturën publike. Pse duhet të ndërmarrin një hap të tillë kur mund të mbështeten fare mire në infrastrukturën ekzistuese në mes të qytetit?! Kjo vërtet është një kosto për banorët ekzistues, por jo për politikanët dhe kompanitë e ndërtimit.
3. Për të zhvilluar siç duhet zona të reja, me blloqe të rregulla në forma simetrike siç ndërtuan dikur komunistët, bashkia duhet të hartojë një plan urbanistik që përcakton qartë rrugët e reja dhe llojin e zhvillimit të lejuar përgjatë tyre. Më pas, hapet procesi për këdo që është i interesuar të investojë sipas këtyre kritereve të specifikuar në plan. Por, kjo është mjaft problematike për ndërtuesit e mëdhenj. Nëse një plan i tillë miratohet, pronarët e truallit fitojnë gjithë pushtetin në negociatat me ndërtuesit. Ata mund të vendosin edhe ti zhvillojnë zonat në mënyrë të pavarur, duke ngushtuar hapësirat në treg për ndërtuesit e mëdhenj. Për këta të fundit është shumë më me leverdi që të përfitojnë nga lejet subjektive të ndërtimit brenda qytetit ekzistues.
Në fakt, kjo është ajo që po ndodh pranë rrugës Luigj Gurakuqi. Burime konfidenciale kanë konfirmuar për Exit.al se një nga oligarkët më të njohur të vendit po ushtron presion prej muajsh mbi banorët e zonës për të blerë pronat me çmime shumë nën vlerën e tregut. E gjitha kjo po kryhet me qëllim ri-zhvillimin e gjithë zonës nga sheshi Skënderbej tek Pazari i Ri me një kompleks të ri kullash të larta.
Që kjo do të bëhet realitet do të varet nga shumë faktorë, mbi të gjitha nga aftësia e banorëve për t’u rezistuar këtyre planeve. Nga ana tjetër, është plotësisht e vërtetë se Bashkia Tiranë sot është një partner i devotshëm i këtyre ideve dhe projekteve. Korsitë e biçikletave dhe zonat e këmbësorëve nuk po zhvillohen për të përmirësuar qytetin. Qëllimi i tyre kryesor është të ushtrojnë gjithnjë e më shume trysni ndaj banorëve të tanishëm për të shitur pronat me çmime të ulëta, për të blerë apartamente të reja, dhe për të rritur qarkullimin e parasë drejt kompanive të ndërtimit.
Nuk është më korrupsion i thjeshtë dhe keqmenaxhim i fondeve publike. Bashkia Tiranë tashmë po bashkëpunon ngushtë me oligarkët e ndërtimit për të grabitur pronat në mes të Tiranës.