Projekti i Bashkisë Tiranë për korsi biçikletash bllokon bizneset e Myslym Shyrit

Nga Exit News
Projekti i Bashkisë Tiranë për korsi biçikletash bllokon bizneset e Myslym Shyrit

Bashkia Tiranë ka përfshirë së fundmi rrugën Myslym Shyri në projektin e saj për korsi biçikletash, projekt i cili parashikon ngushtimin e rrugës së makinave dhe ndalimin e parkimit.

Kjo ka shqetësuar bizneset dhe banorët e zonës, të cilët e ndjejnë veten të anashkaluar nga vendimmarrja dhe të vënë përballë një rreziku ekonomik. Zona nuk ka hapësira të tjera për parkim.

Shumë biznese që u hapën të hënën në rrugën Myslym Shyri e patën të vështirë të siguronin parkim për punonjësit, furnitorët, apo dhe klientët.

Punonjës të bashkisë kishin vendosur hekura duke bllokuar pjesën dërrmuese të vendparkimeve, të cilat prej më shumë se 2 vitesh janë me pagesë, disa të personalizuara për bizneset.

Ana buzë trotuarit pritet të kthehet në korsi biçikletash. Por shumica e bizneseve dhe banorët e zonës janë kundër këtij projekti.

Pse janë kundër bizneset

Prej fundit të viteve ’90 rruga Myslym Shyri njohu zhvillim të madh ekonomik pasi buzë saj u hapën qindra dyqane të veshjeve, elektroshtëpiakeve, por dhe zyra të ndryshme biznesesh.

Zona u popullarizua edhe më tepër mes viteve 2000-2010 kur në rrugën e Durrësit, Bashkia Tiranë, asokohe e drejtuar nga Edi Rama, vendosi rrethimin e trotuareve me hekura dhe ndalimin e qëndrimit të makinave.

Kjo ua bëri të vështirë bizneseve aksesin me klientët dhe po kështu me shërbimet furnitore.

Për rrjedhojë disa lëvizën nga rruga e Durrësit duke u zhvendosur në Myslym Shyri apo Rrugën e Kavajës, ndërsa disa të tjera falimentuan.

Ndërhyrja e fundit e Bashkisë Tiranë, kësaj here nën drejtimin e Erion Veliajt, konsiderohet njësoj e rrezikshme.

Një biznes, studio fotografie, në Myslym Shyri shprehu pakënaqësinë për këtë vendim të Bashkisë duke e cilësuar atë eksperiment që dëmton bizneset.

“Ekpserimenti u bë para shumë vitesh në rrugën e Durrësit kur bizneset lulëzonin dhe sa u vendosën hekurat u kthyen në biznese fantazmë […] ky eksperiment është shtrirë tashmë në gjithë rrugët e kryeqytetit duke i kthyer bizneset në biznese lagjesh, të tkurrura, të ndara, të pafuqishme, që luftojnë për bukën e gojës. Kush përfiton?”

Sipërmarrësit ankohen se nuk u përfshinë në vendimmarrje dhe se nëse ndalohet parkimi dhe ngushtohet rruga të ardhurat e tyre nga aktiviteti mund të përgjysmohen.

Pse janë kundër banorët

Zona e Myslym Shyrit është kryesisht me pallate të vjetra, të cilat nuk ofrojnë mundësi parkimi, ndërkohë që së fundmi hapësira te ish-“Ekspozita Shqipëria Sot”, e cila shfrytëzohej për parkim me pagesë, iu dha leja për kullë 90 metra të lartë.

Njësoj projekteve për pallate të tjera u është dhënë apo ripërtërirë leja për t’u ndërtuar krahas rrugës ose në rrugicat pas.

Pra Bashkia Tiranë ka planifikuar rritjen e dendësisë së banorëve, por në vend që t’u shërbejë hapësira më të mëdha për shërbim, siç është parkimi, ajo bën të kundërtën duke i kufizuar ato.

Banorët shprehen se kanë pasur probleme edhe më parë me ndarjen e hapësirave të parkimit, sidomos për ato pa pagesë – me vija të bardha – pasi ata nuk janë pyetur dhe bërë pjesë e vendimmarrjes.

Problemi i korsive të biçikletave

Përveç rrugës Myslym Shyri, një problematikë të ngjashme kanë hasur së fundmi bizneset dhe banorët e rrugës Hoxha Tahsin, apo Qemal Stafa. Në këtë të fundit në ish-tregun e biçikletave apo orendive shtëpiake, bashkia ka vendosur edhe rrethim me hekura.

Siç Exit News ka shkruar më parë, Bashkia Tiranë i ndërton korsitë e biçikletave pa standard të përcaktuar, pa respektuar plan-projektet e miratuara më parë dhe madje duke rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve – me lyerjen e asfaltit me bojë.

Bashkia Tiranë nuk ka bërë kurrë transparente projektet apo të dhëna që i justifikojnë ato.

Opozita i ka cilësuar shpesh si abuzive dhe me kosto të pajustifikuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>