Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i shkojë deri në fund planit për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke i hapur rrugë projektit më të madh betonizues në qendër të Tiranës.
Edi Rama e ka vendosur tashmë çdo gjë, në marrëvshje personale me firmën Fusha shpk—shkëmbimin e tokës, projektin e godinës së re të teatrit dhe projektet e kullave që do të ndërtohen. Por për të fshehur të vërtetën se çdo gjë është përgatitur dhe vendosur paraprakisht nga Edi Rama, ai vetë, kryebashkiaku Veliaj, ministrja Kumbaro dhe një sërë ministrash e drejtues të lartë të administratës po pretendojnë sikur janë në procesin e shqyrtimit të një projekti që atyre u është paraqitur nga një investitor privat me nismën e tij.
Për të legjitimizuar këtë vendim-marrje personale, Rama tani ka vendosur të vulosë atë me një ligj të posaçëm në Kuvend, i cili, përveçse dëmit direkt, do të krijojë një precedent të rrezikshëm për grabitjen e pasurive publike për interesa private në të gjithë vendin.
Ky lloj qëllimi për të krijuar precedent është i qartë edhe nga fakti se vetë projektligji të vetmin justifikim për bazën ku mbështetet ka tre precedentë po aq problematikë dhe të dështuar të qeverisë Rama.
Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, vendimi personal i Ramës i mbrojtur me një ligj të posaçëm në Kuvend do të jetë i pasfidueshëm institucionalisht dhe, për rrjedhojë, përfundimtar. Projektiligji është futur me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, pikërisht për ta miratuar dhe ekzekutuar atë para plotësimit të vendeve në Gjykatën Kushtetuese, që do të krijonte pengesë për planin e Ramës.
Madje, miratimi me urgjencë i ligjit përpara përfundimit të punimeve të kësaj legjislature në fund të korrikut, është tregues i qëllimit të Ramës për ta shembur godinën në muajin gusht, në kulmin e sezonit të pushimeve të verës kur një pjesë e madhe e banorëve të Tiranës janë jashtë qytetit.
Nga përmbajtja, projektligji i propozuar nga Rama, nuk respekton asnjë standard të shkrimit ligjor dhe shpërfill gjithë bazën ligjore dhe politikat publike në fuqi, përfshi politikat e miratuara nga vetë Kuvendi.
Në të vërtetë, në thelb ligji nuk është asgjë më shumë se një vendim prokurimi për t’i dhënë një firme private, të paracaktuar, një kontratë pa garë, me negocim të drejtpërdrejtë, pjesë e të cilës është tjetërsimi i tokës publike, pa plotësuar asnjë nga kushtet e përcaktuara në ligj për një veprim të tillë.
Projektligji propozon një metodë prokurimi dhe kontraktimi, e cila është krejtësisht e paparashikuar dhe e pambështetur ligjërisht. Kuadri ligjor i tanishëm përcakton të gjitha llojet e prokurimeve dhe kontratave, si dhe procedurat përkatëse, që administrata publike mund të përdorë për të prokuruar shërbime, mallra dhe investime. Si ligji për koncesionet dhe PPP-të, ashtu edhe ligji për prokurimet publike, por edhe një sërë ligjesh të tjera, përfshi ato që rregullojnë shitjen dhe tjetërsimin e pronave shtetërore, mundësojnë kontraktimin e rasteve të tilla.
Por të gjitha ligjet dhe rregullat në fuqi kërkojnë një procedurë të cilën qeveria kërkon ta shmangë: garë publike dhe konkurim. Prandaj, qeveria ka shpërfillur gjithë bazën ligjore ekzistuese dhe po synon të miratojë me ligj të veçantë një marrëveshje personale të Edi Ramës, të bërë jashtë çdo kuadri ligjor dhe institucional.
Për këtë arsye, i vetmi justifikim që ka gjetur qeveria për të mbështetur projektligjin është referimi ndaj precedentëve të mëparshëm, duke sjellë si të tillë tre raste të dyshimta dhe problematike të vetë qeverisë Rama: rastin e kontratës për ndërtimin e rrugës së Arbërit me një kompani kineze, kontratë e cila dështoi dhe nuk u zbatua asnjëherë; rastin e projektit të dyshimtë për ndërtimin e një porti, më të madh se ai i Durrësit, në Karpen të Kavajës, kontratë e lidhur para tre vjetësh me një kompani guackë angleze me kapital 150 euro, e cila duket se ka për qëllim grabitjen e tokës publike dhe jo investimin; dhe rastin e kontratës për ndërtimin e Portit të Vlorës nga një konsorcium turk, për të cilën nuk dihet asgjë.
Por, problemi kryesor i projektligjit të propozuar nga qeveria është se ai jo vetëm shpërfull ligjet në fuqi por bie ndesh me Kushtetutën, pasi shkel parimin e decentralizimit dhe autonomisë së qeverisjes vendore, duke i rrëmbyer pushtetit vendor kompetencat kushtetuese.
Projektligji urdhëron tjetërsimin e tokës publike në pronësi të Bashkisë Tiranë në favour të firmës Fusha shpk. Por, Neni 13 i Kushtetutës përcakton se qeverisja vendore ngrihet “në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore”. Ndërsa Neni 113 i Kushtetutës përcakton qartë se janë këshillet bashkiakë autoritetet që “ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike.”
Këto parime kushtetuese janë detajuar më tej në Ligjin 39/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili në nenin 54 të tij parashikon qartë se tjetërsimi ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve, është kompetencë e këshillit bashkiak, dhe miratohet me votën e tre të pestave të anëtarëve të këshillit. Ky ligj është ligj organik, i miratuar me dy të tretat e Kuvendit, dhe ka precedencë mbi çdo ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë si ky i propozuar. Kjo do të thotë që Kuvendi nuk mund të miratojë me shumicë të thjeshtë asnjë ligj tjetër që bie ndesh me të.
Antikushtetueshmëria e këtij ligji mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese, por ajo nuk funksionon prej muajsh dhe nuk ka gjasa të fillojë funksionimin para verës së ardhshme. Pikërisht, kjo është ajo që po mundohet të shfrytëzojë Edi Rama për vjedhjen me ligj të pronave publike në qendër të Tiranës.