Projekti i portit të Karpenit: delir, vjedhje apo thjesht paaftësi?

Projekti i portit të Karpenit: delir, vjedhje apo thjesht paaftësi?

Një port në ujërat e thella, me një zonë ekonomike prej 1 700 hektarë ku do të ndërtohen një kompleks rezidencial, një impiant i rigazifikimit të gazit të lëngshëm, një termocentral, një serë teknologjike dhe në fund një akademi sportive.

Mungon vetëm një aeroport dhe një stacion për lëshimin e raketave!

Investimi me vlerë prej pesë miliardë dollarë duhet të realizohet për pesë deri në dhjetë vjet.

Kjo përmbledhje ekstreme është gjithçka që dihet mbi projektin misterioz “Morgan”, i cili do të realizohet nëpërmjet një ligji special të paraqitur nga qeveria dhe të miratuar të enjten nga Kuvendi.

Ndërkohë ka mungesë të pazakontë propagande, ashtu si do të ishte normale të ndodhte duke parë përmasat e investimit, për më tepër kur qeveria propagandon në mënyrë të ethshme edhe fasada te vogla.

Relacioni që shoqëron projekt-ligjin—i përgatitur nga tre ministri, e Ekonomisë, Transporteve dhe e Energjisë—parashikon një investim më të madh se gjysma e prodhimit vjetor vendas, ose gati sa gjithë investimet e huaja më vend gjatë 7 viteve të fundit. Pra, parashikohet një overdozë investimesh, e cila do të ndryshonte çdo lloj ekonomie, por mesa duket kemi të bëjmë me një një gabim të stërmadh ose grabitje të stërmadhe.

Projekti sipas dokumentit që shoqëron projektligjin, do të prodhojë gati 6 mijë vende pune gjatë fazës së ndërtimit, dhe 70 mijë të punësuar kur të futet në operim, mbas pesë vjetësh.

Vendi se ku duhet të lulëzojë ky investim i rëndësishëm është Karpeni në Bashkinë e Kavajës. Kjo ndoshta shpjegon këmbënguljen e Kryeministrit Rama për të mbrojtur kryebashkiakun e tanishëm, i përfshirë në një proces dekriminalizimi.

Plani rregullator i Kavajës, i cili do të paraqitet në shtator, i është besuar Atelier 4 të Alban Eftimit, i njohur për lidhjet e afërta me Kryeministrin Rama. Ndoshta, kur të miratohet plani rregullues i Kavajës do të jetë e mundur të merret ndonjë informacion më shumë mbi projektin.

Kompania “Star Bridge Port Developments Limited” është një kompani nga rafti—një shoqëri që ka adresë një kuti postare, e cila në Mbretërinë e Bashkuar blihet për pak qindra paundë nga shoqëritë juridike që krijojnë mijëra kompani të tilla të gatshme. Ajo është themeluar me një kapital minimal prej 100 paund nga dy ortakë të cilët më 26 korrik 2016 ia shitën atë një shoqërie në Singapor, të quajtur One Gate PTE ltd, e cila është gjithashtu një tjetër kompani e regjistruar me adresë një kuti postare. Për kompaninë singaporiane nuk ka më asnjë të dhënë tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një model kompanish që kontrollojnë kompani që kontrollohen nga kompani offshore. Çdo gjë tretet.

Duhet thënë se tashmë shumë fije të tilla të çojnë në Singapor. Kompania që po ndërton pallatin e shumëdiskutuar përballë Fakultetit të Ekonomisë në hyrje të Parkut është gjithashtu e regjistruar off-shore në Singapor.

Relacioni i projektligjit nuk i referohet asnjë dokumenti qeveritar të planifikimit strategjik për transportin apo energjinë dhe as strategjisë së bregdetit, të paraqitur rishtazi nga Ministrja Gjermeni. Në fakt, asnjë dokument, strategji apo plan qeveritar nuk parashikon ndonjë ndërhyrje të këtij lloji. Relacioni i projektligjit thjesht deklaron se sot në Mesdhe nuk ekziston një port në gjendje që të presi anijet e mëdha të llojit Post-Panamax.

Por, edhe ky pohim qeveritar është krejtësisht i gabuar—mjafton të përmendim Gioia Tauro në Kalabri apo Rijeka në Kroaci.

Nga ana tjetër, është çudi mospërputhja mes realitetit dhe imagjinatës qeveritare: një anije post-Panamax ka kapacitet të mbajë rreth 15–18 mijë kontejnerë, ndërkohë që trafikut aktual vjetor i kontejnerëve në portin e Durrësit (rreth 110 mijë kontejnerë në vit) është i barabartë me volumin që mbajnë vetëm gjashtë anije post-Panamax në vit.

E çuditshme është gjithashtu edhe përmasa e zonës së lirë prej 1,7 mijë hektarë, kur qeveria po bënë xhiron e botës në kërkim të investitorëve për një zonë të lirë prej 100 hektarësh në Spitallë dhe 61 hektarësh në Koplik e nuk po gjen interesin e askujt.

Interesant është edhe përfshirja në investim e një impianti të rigazifikimit—gazi natyror në gjendje të lëngshëm duhet të transportohet nga Katari me anije të mëdha cisternë, për t’u rikthyer në gjendje gazi në impiant—që shkon në kahun e kundërt të prioritetit të shpallur nga qeveria për të shpërndarë në vend gazin që do të vijë nga gazjellësi TAP.

Ndërsa kapaciteti i termocentralit të parashikuar prej 1200 MW duket një ekzagjerim pasi nevojat e brendshme për energji të të gjithë projektit të Karpenit mund të plotësohen nga një central me fuqi disa dhjetëra MW.

Krejtësisht i pabesueshëm duket projekti për të ndërtuar një zonë rezidenciale (me parashikimin për të zhvendosur banorët aktualë) pranë një zonë të tillë energjitiko-industriale dhe aq më tepër vetëm pak kilometra larg Golemit ku janë ndërtuar volume të mëdha rezidenciale që kanë mbetur ende të pashfrytëzuara.

Ndërsa është krejtësisht e palogjikshme ndërtimi në brendësi të këtij kompleksi industrial i një akademie sportive.

Në fund, të çudisin edhe autorët e mundshëm të projektit të cituar në relacionin e projektligjit. Studio të mëdha projektimesh angleze dhe amerikane: AECON—shoqëri e madhe amerikane e projektimit e specializuar në fushën e mbrojtjes; TFA—kompani që nuk ka gjurmë në rrjet, të paktën sipas kërkimit në Google; Ramboll—shoqëri projektimi dhe konsulence daneze me 10 mijë ekspertë, e cila në Shqipëri ka zhvilluar vetëm projektin kundër korrupsionit në vitin 2007; RTV Architects—e vetmja gjë që del nga kërkimi në Google është se shoqëria e regjistruar në 2015 në Mbretërinë e Bashkuar ndodhet në një adresë ku autoritetet gjyqësore angleze kanë pak ditë që kanë përfunduar likuidimin e një rrjeti shoqërish false të përfshira në një skemë mashtrimesh me kredi bankare; dhe në fund Summa—shoqëri e madhe ndërtimi turke, e pranishme në shumë vende dhe e specializuar mbi të gjitha në turizëm. Sidoqoftë, për angazhimin e këtyre shoqërive në projekt nuk ka asnjë dokument dhe provë—ato thjesht janë përmendur në relacionin e qeverisë.

Detaji i fundit dhe më i habitshmi nga të gjithë është se në të gjithë relacionin e projektligjit, nuk kuptohet askund se kush do të jetë investitori që do të investojë 5 miliardë dollarë në Shqipëri, a thua se ky është fakt i parëndësishëm për të marrë miratimin e Kuvendit.

Procedura që qeveria do të ndjekë për këtë investim është një tjetër habi e madhe. Kuvendi miratoi pak më parë ligjin “Mbi investimet strategjike” i cili përcakton procedurën që duhet për t’u klasifikuar si investitorë strategjik, procedurë që duhet të administrohet nga AIDA, e cila më pas i kalon gjithçka qeverisë për koncesionin pasardhës. Në rast të investimeve shumë të mëdha ligji parashikon “statusin e të veçantit”, i cili i jep investitorit siguri maksimale në lidhje me mbi pronësinë e tokës dhe zbatimin e kontratës, deri në pikën sa e mbron investitorin nga çdo pretendim mbi pronësinë e tokës nga çdo subjekt.

Pavarësisht këtij ligji dhe privilegjeve që ai ofron, pa dhënë asnjë informacion mbi projektin, qeveria përcakton një procedurë të re, të papërdorur më parë, qëllimi i së cilës është vetëm që Kuvendi t’i japë Ministres së Ekonomisë fuqinë për të firmosur një kontratë në të cilën e vetmja gjë konkrete është dhënia e tokës me koncesion për një kohë të gjatë, një shoqërie të papërcaktuar, me adresë në një kuti postare, pa përcaktuar ndonjë afat për kontratën dhe pa vënë asnjë kusht e pa kërkuar asnjë garanci: vetëm me një referim të përgjithshëm “projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”.

Nuk ka asnjë vlerësim, asnjë studim, asnjë koment nga asnjë institucion publik apo privat i pavarur mbi projektin dhe investitorët e supozuar.

E vetmja gjë fatlume është se të paktën projektligji përcakton se kontrata, pasi të firmoset nga Minsitrja e Ekonomisë, duhet të miratohet nga Kuvendi.

Projekti dhe projektligji i pazakontë shërben ose për të ruajtur të fshehtë përfituesin me mashtrim të mijëra hektarëve tokë në një nga plazhet më të mira të Adriatikut ose shërben vetëm për të bërë propagandë idiote, pra për të krijuar padrejtësisht optimizëm për hyrjen në sasi të mëdha në të ardhmen të një kapitali të huaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>