Projekti i Unazës së Madhe kthen në gërmadhë jetët e dhjetra banorëve

Nga Vladimir Karaj
Projekti i Unazës së Madhe kthen në gërmadhë jetët e dhjetra banorëve

Banorët e Shkozës, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan së fundmi për t’u hapur rrugë Unazës së Madhe të Tiranës jetojnë me ankthin e së ardhmes dhe ankohen për standarde të dyfishta legalizimesh, që i kanë lënë ata pa asnjë mundësi kompensimi nga qeveria.

Dy ditë pas shembjes së shtëpisë së tij 3-katëshe në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë, Altin Çullhaj, 35 vjeç, po përpiqej të nxirrte nga rrënojat shufra hekuri që mund t’i shesë për skrap.

“Të paktën do të paguaj qiranë për 2-3 muaj,” thotë 35-vjeçari i mbetur në mes të katër rrugëve, pasi Inspektoriati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit i rrafshoi shtëpinë për t’i hapur rrugë njërit segment të Unazës së Madhe, që shtrihet nga Farka drejt Maternitetit të Ri.

Çullhaj dhe vëllezërit e tij shpenzuan gjithçka kishin për ndërtimin e një shtëpie tre-katëshe në pjesën e pasme të ish-Uzinës së Autotraktorëve dhe ndonëse aplikuan për legalizim në vitin 2005, morën vazhdimisht përgjigje negative. Ai i tha BIRN se nuk ka shpresë se mund të marrë ndonjë kompensim, e megjithatë, nuk u rezistoi makinerive të rënda dhe rreth 200 forcave të policisë që rrethuan zonën më 16 dhe 17 tetor.

Dy shtëpi të tjera u prishën në të njëjtën ditë bashkë me atë të Çullhajt. Ato po ashtu ishin pa leje legalizimi, ndërsa ngjitur me to, edhe pse në të njëjtën gjurmë të projektit, banesa të legalizuara mësohet se do të prishen pas miratimit të dëmshpërblimeve.

Ndërtimi i Unazës së Madhe prek qindra familje në Tiranë, të cilat pasi shpenzuan gjithçka për të ndërtuar shtëpitë, po e gjejnë veten në listën e gjatë të të pastrehëve. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, në 5 lote të unazës në të cilat po punohet apo ku pritet të fillojë puna gjenden 317 objekte; nga të cilat 183 ndërtesa pa leje legalizimi dhe vetëm 123 me certifikatë pronësie.

Trajtimi i diferencuar dhe legalizimi i pjesshëm i ndërtesave në të njëjtat zona ka hedhur hije dyshimi mbi procedurat e ndjekura për vite me radhë si dhe mbi diskriminimin e qindra familjeve, të cilat rrezikojnë të mbeten rrugëve pa marrë asgjë mbrapsht.

Në anën tjetër, edhe familjet me certifikata pronësie i pret një kalvar i gjatë procedurash dhe burokracish përpara se të marrin kompensimet, sipas të dhënave të zbuluara nga BIRN në disa investigime të mëparshme.

Standarde të dyfishta

Një banor duke nxjerrë shufra hekuri nga rrënojat e shtëpisë së shembur në Shkozë. Foto: Vladimir Karaj

Shtëpitë e shkatërruara së fundmi nga IKMT ndodhen në një prej periferive më të varfëra të kryeqytetit, ndërsa një pjesë e tyre janë përshtatur brenda strukturës së ish-Uzinës së Autotraktorëve. Rrugicat janë shumica të pashtruara, ndërsa në cepa të lirë toke gjen fëmijë që gërmojnë me kazmë në kërkim të mbetjeve të skrapit prej kohës kur zona ishte ende uzinë.

Në fakt, nxjerrja e skrapit duket si i vetmi biznes që lulëzon në zonë në këtë kohë. Që nga fillimi i rrugicës që të nxjerrë pranë shtëpisë së Cullhajve ndodhen godina të goditura pjesërisht për t’i hapur rrugë unazës dhe mbi to ka gjithmonë njerëz që përpiqen të nxjerrin hekur, i vetmi që mbetet pas shkatërrimit.

Njësoj si Çullhaj, edhe Isni Kalia dhe dy djemtë e tij  i gjejmë ndërsa përpiqen të shpëtojnë çka të mundin prej shtëpisë njëkatëshe që u rrëzua. Kalia i tha BIRN se ai ishte në gjyq në Gjykatën Administrative të Apelit kundër vendimit të Agjensisë së Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) për të mos legalizuar banesën e tij, por IKMT nuk e përfilli këtë fakt.

Standardet e dyfishta të institucioneve që kanë miratuar legalizimet për një shtëpi dhe kanë refuzuar për tjetrën ngritur ngjitur me të kanë zemëruar banorët e prekur nga shkatërrimi.

Por Kalia, Çullhaj dhe një 45-vjeçar që u prezantua me emrin Gentian u treguan të kujdesshëm që të mos “ngacmonin” fqinjët që prisnin të merrnin të paktën dëshpërblime që mund t’u mundësonin një shtëpi të re.

Në anën tjetër, edhe një banor i një shtëpie të legalizuar i BIRN se ndjehej keq për fqinjët, por shtoi se nuk kishte shpjegim pse shtëpia e tij ishte legalizuar dhe të tyret jo.

“Pres të marr rreth 5 milion lekë të reja”, tha ai në kushtet e anonimatit me llogari të bëra vetë mbi çmimet e referencës. “Nuk mund të them që mund të blej një shtëpi si kjo, por të paktën do kem një shtëpi,” shtoi ai, ndërsa tregon banesën dykatëshe me pjergull në të cilën jeton.

Kalia, i cili kishte besuar se procesi gjyqësor mund ta shpëtonte nga prishja e menjëhershme tregoi se mezi kishin mundur të nxirrnin jashtë mobiljet. Kolltuqe, divanë dhe elektroshtëpiake të vogla ndodhen ende në atë që dikur ishte oborri i shtëpisë, ndërsa menjeherë pas saj është hendeku i madh i hapur prej makinerive për të mundësuar kalimin e Lanës dhe rrënojat e banesës.

Çullhaj që punon si marangoz, nuk kishte ushqyer të tilla shpresa. Ai tha se e kishte lëvizur familjen prej ndërtesës prej javësh, pasi e dinte se shtëpia do të prishej.

Çullhaj i tha BIRN se shpenzuan më shumë se një dekadë në pritje të legalizimit, ndërsa u kishin zënë besë premtimeve se zona nuk prekej prej gjurmës së rrugës. Si provë për këtë ishin shtëpitë e fqinjëve, që po ashtu ishin shënuar për t’u prishur, por që u legalizuan rrugës.

“Nuk di çfarë të them,” ngre supet Altini, ndërsa shton se në shtëpi ka një përgjigje të Bashkisë së Tiranës së vitit 2017, e cila e njofton se banesa e tij nuk prekej prej ndonjë ndërtimi.

Traumë dhe humbje

Adenis Kalia, 16 vjeç, i ulur në kolltukun e nxjerrë me zor nga shtëpia e shembur nga IKMT më 16 tetor. Foto: Vladimir Karaj.

Dy ditë pasi gjithçka është shkatërruar, banorët e zonës i vijnë vërdallë rrënojave duke u përpjekur të thërrmojnë me varre atë që kishin ngritur me mund prej vitesh.

“Nuk nxjerrim asgjë, por më shumë për inat se nuk duam t’ua lëmë të tjerëve,” i tha BIRN Adenisi, djali 16 vjeçar i Isni Kalisë.

Gjimnazisti i tha BIRN se ai ishte rritur në atë shtëpi dhe pas shembjes së saj, gjithçka është kthyer përmbys.  “Kam qenë 2 vjeç kur jemi vendosur këtu. Kam një javë që nuk shkoj në shkollë, nuk e di se çfarë do të bëj tani,” tregon i riu.

16-vjeçari i tha BIRN se e ka të vështirë të shkëputet nga gjimnazi ku ndodhen shokët e tij të fëmijërisë dhe po mendon të marrë dy autobusa për të ardhur çdo ditë aty nga Kamza. “Kemi pasur një mjedis shumë të mirë këtu, ishte pastër dhe kishte gjelbërim,” kujton ai për kohën para fillimit të punimeve për projektin.

Gentjani, 45 vjeç nga Tropoja ka hyrë në shtëpi në një moshë më të madhe. Ai kujton se i ati –elektricist i disa prej hidrocentraleve më të mëdha në vend e kishte ndërtuar shtëpinë me “kaçavidë e pinca” dhe se po e përjetonte shumë rëndë prishjen e saj.

Ata kanë hyrë në shtëpi në vitin 2003 dhe prej asaj kohe pritën për lejen e legalizimit, por shtëpia nuk u kualifikua asnjëherë. Gentiani shtoi se fatin e shtëpisë së tyre e mësuan një vit më parë dhe prej asaj kohe, prindërit jetuan nën ankth.

“Sa herë që ndalonte ndonjë makinë këtu, më merrnin në telefon: Hajde se erdhën për ta prish. Kur vija i gjeja duke u dridhur,” thotë 45-vjeçari.

Për të shmangur ankthin, ai i transferoi prindërit prej javësh në një shtëpi me qira. Ditën që vërtet mbërritën fadromat, babai  i cili kishte ndërtuar shtëpinë nuk pranoi të vinte të shikonte, ndërsa mamaja qëndroi jashtë.

“Unë qëndrova brenda për tre orë, por policia më kërcënoi se do më arrestonin dhe pranova të dal,” tregon Gentiani. “Pas prishjes prindërit janë më të qetë, sikur u pajtuan me këtë,” shton ai.

Gëzim Xhina, i cili punon për kompaninë “Gjikuria” që po ndërton këtë pjesë të Unazës është konfuz sa i përket fatit të shtëpisë së tij. Plani që ai e ka parë tregon se rruga kalon aty, por Xhina thotë se ka mundësi që të mos e prekë të gjithë ndërtesën, por vetëm një pjesë të saj.

Megjithatë Xhina, ashtu si fqinjët, ka hequr dorë nga lufta. “Le të bëjnë ç’të duan,” thotë ai. “Vetëm nuk dua të më vijnë me policë. U kam thënë kur të duan ta prishin ta prishin, vetëm të mos më vijnë me policë”.

Xhina i tha BIRN se ka mbështetur socialistët për vite me rradhë, por tani ka hequr dorë. “Ata duhej të ishin një qeveri për ne, por na kanë varfëruar, na kanë lënë pa bukë,” përfundoi ai.

Gëzim Xhina është e paqartë për fatin e shtëpisë së tij në Shkozë të Tiranës. Foto: Vladimir Karaj

Publikuar më parë tek Reporter.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>