Njëzetë deputetë të opozitës parlamentare kanë depozituar në Kuvend një projekt-ligj që synon përjashtimin nga 23 funksione publike dhe politike të ish-funksionarëve të diktaturës.
Projektiligji kërkon përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve, nëpunësve që kanë ushtruar detyre drejtuese në periudhën 28 nëntor 1944 – 8 dhjetor 1990.
Prej 30 vitesh ish-të përndjekurit kanë kërkuar ndarjen e sistemit demokratike nga e shkuara totalitare duke ua pamundësuar mbetjen në strukturat e shtetit të ish-funksionarëve të diktaturës.
Shqetësimi mbetet aktual. Katër muaj më parë shoqatat shprehën shqetësim për implikimin në procese politike të diktaturës të disa prej drejtuesve të organeve të reja në drejtësi.
Nuk është e qartë nëse kjo nismë do të vazhdojë më tej dhe do të marrë mbështetjen e duhur, por duhet theksuar se ajo nuk është e para.
Në vitin 1995 në parlament u miratua ligji “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.
Ligji ndalonte zgjedhjen dhe ushtrimin e funksioneve shtetërore të ish-anëtarëve të Byrosë Politike, Komitetit Qendror, Presidiumit, sistemit gjyqësor, policisë, ushtrisë, agjenturës dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit nga periudha 28 nëntor 1944 – 31 mars 1991.
Zbatimi i tij u pamundësua nga disa vendime të Gjykatës së Kasacinit dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa më vonë u ndryshua duke u kufizuar vetëm te ish-anëtarët e byrosë, ish-oficerët e Sigurimit dhe personat e dënuar për krime ndaj njerëzimit.