Projektligji i bregdetit ju vjedh të drejtën e pronës qytetarëve–Shkel KEDNJ, Kushtetutën dhe Kodin Civil

Nga Megi Ndregjoni
Projektligji i bregdetit ju vjedh të drejtën e pronës qytetarëve–Shkel KEDNJ, Kushtetutën dhe Kodin Civil

Qeveria Rama ka vendosur t’u heqë pronarëve të tokave në bregdet të drejtën për shitjen e lirë apo zhvillimin nga vetë ata të tokave të tyre.

Qeveria ka miratuar dhe dërguar në Kuvend projektligjin për menaxhimin e bregdetit”, i cili i jep shtetit të drejtën e parablerjes të çdo toke private në bregdet, si dhe detyron që zhvillimi i saj mund të bëhet vetëm me kontrata PPP ose si investim strategjik.

Ky projektligj cenon të drejtën e pronës të mbrojtur nga Kushtetuta dhe konventa ndërkombëtare dhe bie ndesh me jurisprudencën e KEDNJ.

E drejta e pronës mbrohet nga Kushtetuta dhe konventa ndërkombëtare. Pronari ka të drejtë të gëzojë, disponojë dhe tjetërsojë sendin, sipas dëshirës së tij.

Projektligji ndërhyn në vullnetin e pronarin e tokës apo shtëpisë në bregdet, duke e detyruar atë tja shesi sendin së pari shtetit. Neni 23 i jep shtetit të drejtën e parablerjes së tokës private, nëse kjo do të shitet.

Kjo do të thotë se nëse një pronar privat kërkon të shesë tokën e tij, ai duhet t’ja ofrojë atë së pari shtetit—me gjasa me tarfa të përcaktuara—dhe vetëm nëse shteti refuzon blerjen e saj, ai fiton të drejtën t’ja shesë tokën kujtdo që dëshiron.

Ky parashikim bie ndesh dhe me dispozitat e Kodit Civil. Neni 204 i tij parashikon se:

“Bashkëpronari, para se t’ia shesë pjesën e vet në sendin e paluajtshëm një personi që nuk është bashkëpronar, detyrohet të njoftojë me shkrim bashkëpronarët e tjerë nëse dëshirojnë të blejnë pjesën me të njëjtat kushte që do t’ia shesë personit të tretë.”

E drejta e parablerjes është kufizimi i vetëm i të drejtës së pronarit për t’ja shitur sendin kujt dëshiron, me qëllim ruajtjen e mirëmbajtjen e pronës nga të njëjtët bashkëpronarë. Kusht i domosdoshëm i kësaj të drejte është bashkëpronësia midis palëve private.

Projektligji i detyron pronarët t’ja japin pronën e tyre ose një pjesë të saj shtetit, pavarësisht se ai nuk është bashkëpronar me ta.

Një tjetër parashikim i projektligjit është ndalimi i zhvillimit të pronës nga pronari.Neni 22 i ligjit ndalon “dhënien e lejeve të ndërtimit në bregun e detit, me përjashtim të kontratave koncensionare/PPP, investimeve strategjike dhe ndërtimeve për infrastrukturë publike”

Kështu nëse pronari kërkon që të ndërtojë qoftë edhe një banesë për veten e tij në këtë tokë, ai nuk mund ta realizojë këtë gjë, pasi qeveria i ka kufizuar lejet e ndërtimit vetëm në projekte të mëdha të ashtuquajtura strategjike ose në zhvillime përmes kontrata koncesionare me shtetin—nuk është e qartë se çfarë lloj koncesioni mund të marrë dikush në tokën e tij private.

Sërish kjo ndërhyn në të drejtën e pronarit për të gëzuar lirisht pronën e tij. Në lidhje me ndalimin për të ndërtuar mbi një tokë, për një kohë të gjatë, GJEDNJ është shprehur se kjo përbën shkelje të nenit 1 Protokollit 1 të KEDNJ.

Në çështjen Porrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, Gjykata shprehet:

“ndalimi i ndërtimit me afat të gjatë, përbën një shkelje të së drejtës së pronës, e garantuar nga neni 1 i Protokollit 1.”

Që prej vitit 2015, qeveria Rama përmes një sërë ligjesh si ligjet e Partneritetit Publik-Privat, të investimeve strategjike dhe të turizmit, të Koorporatës së Investimeve Strategjike, të shpronësimit publik —ka patur qëllim të vetëm kryerjen e disa operacioneve në favor të klientëve të tyre dhe nuk janë në të njëjtën linjë me ligjet europiane.

Kjo gjë u konfirmua nga dhënia e statusit investim strategjik i një sërë investimeve të dyshimta vendase në bregdet, të cilat nuk kanë asnjë interes publik—si rrjedhojë, qeveria i dha investitorëve lehtësirave në infrastrukturë dhe një pjesë të bregdetit (publik) pa asnjë kosto.

Kjo duket se është strategjia e vërtetë afatshkurtër e qeverisë për investimet: mbajtja në fuqi, sa të jetë e mundur, e ligjeve që ligjërojnë kalimin klientelist të pasurive publike tek bizneset me lidhje me qeverinë.

 

5 komente

  1. . 18 Qershor, 2020 në 4:39 pm

    Politikat SOROSIANE

  2. Rrustem Brava 18 Qershor, 2020 në 8:04 pm

    Ku “futet” neni 204 i Kodit Civil ketu?

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme