Policia do të ketë të drejtën të përgjojë dhe gjurmojë individët për 3 deri në 6 muaj, pa vendim të prokurorit ose gjykatësit.
Policia do të ketë të drejtën të përgjojë bisedat telefonike dhe telekomunikimeve (bisedat përmes internetit), të përgjojë individët në vende publike, të gjurmojë individin përmes pajisjeve të veçanta, të vëzhgojë në mënyrë sekrete personat në vende të ndryshme. Të gjitha këto do të kryhen vetëm me miratimin e një drejtori në policinë vendore ose qendrore.
Masat e mësipërme janë pjesë e ndryshimeve ligjore të propozuar nga qeveria Rama, në ligjin për Policinë, në kuadër të paketës Anti-KÇK.
Ndryshimet e tjera të miratuar nga Kuvendi, pjesë e paketës anti-KÇK, janë:
—Policia do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit. Ky urdhër i komunikohet prokurorit, i cili e dërgon në gjykatë brenda 48 orëve.
— Struktura dhe BKH kanë të drejtë të nisin hetim pasuror për individët që dyshojnë se nivelin e jetesës nuk ua mbulojnë të ardhurat e tyre. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshortët, fëmijët, bashkëjetuesit mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.
— Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo të dhënë tjetër nga subjekte private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.
— Policia mund të sekuestrojë provat e mbledhura në varësi të urdhrit të Prokurorit. Provat e mbledhura prej tyre do të përdoren sipas vlerësimit të prokurorit.
— Strukturat dhe procedurat e reja, që krijon kjo paketë, dublojnë dhe marrin kompetencat që i janë dhënë prokurorisë antikorrupsion dhe antikrim SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Paketa Anti-KÇK, sikurse e kemi sqaruar, ka synimin t’i japë një njësie speciale (OFL) pranë Kryeministrit, jashtë sistemit të drejtësisë dhe krejtësisht të pambikëqyrur, kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi inteligjence—pushtet që do të krijojë hapësirë të jashtëzakonshme për abuzimin dhe përdorimin e saj politik.
Kundër këtij ligji reagoi sot edhe Partia Demokratike, e cila e quajti ligjin antikushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Bardhi u shpreh se:
“Edi Rama po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor, në shkelje të Kushtetutës dhe në dhunim flagrant të të drejtave të njeriut”.