Prokurët italianë për Rai 3: Në Shqipëri lulëzon trafiku i drogës, ka rifilluar kultivimi masiv i marijuanës

Prokurët italianë për Rai 3: Në Shqipëri lulëzon trafiku i drogës, ka rifilluar kultivimi masiv i marijuanës

Kanabisi është mbjellë këtë vit në një të tretën e territorit të Shqipërisë.

Pohimi shqetësues është bërë nga televizioni shtetëror italian Rai 3, i cili transmetoi dje në mbremje një reportazh të gjatë në lidhje me përhapjen e drogës në Shqipëri.

Në reportazh, oficerët italianë të misionit të vrojtimit ajror të Policisë Financiare italiane (Guardia di Finanza) dëshmojnë se, pas rënies së vitit të shkuar, këtë vit është rikthyer kultivimi masiv i marijuanës.

Kryeprokurori i Katanzarës Nicola Gratteri pohoi se “të paktën një e treta e territorit të Shqipërisë është kultivuar me marijuanë”. Ai vuri në dukje se kultivuesit shqiptarë kanë prodhuar varietete të modifikuara gjenetikisht të marijuanës “me rezistencë më të lartë dhe më përmbajtje të lartë të THC-së [kimikati që shkakton efektet psikotike], e cila ka efekte shkatërruese.

Oficerët italianë të monitorimit të marijuanës pohuan për gazetarët e Rai 3 se kultivimi i marijuanës tani “është i fshehur, nuk është më aq i dukshëm sa më parë, por kultivimi është rritur të paktën pesë herë më shumë se vitin e kaluar.

Gratteri u shpreh se përveç marijuanës, Shqipëria tashmë është kthyer në furnizues të rëndësishëm të kokainës në Itali. Pasqyra e paraqitur prej tij është shqetësuese:

“Sot kemi kriminelët shqiptarë që shkojnë në Amerikën e Jugut, blejnë atje kokainën dhe e sjellin në Europë.”

Reportazhi është ndalur gjatë në trafikun e kokainës dhe të heroinës nga organizatat kriminale shqiptare dhe rritjen e rolit ndërkombëtar të këtyre organizatave.

Gazetarët e RAI 3 gjurmuan rrugët e drogës deri në Kolumbi dhe pohuan se mafia shqiptare funksionon që nga bazat e rafinimit të drogës në Kolumbi dhe Ekuador dhe konkuron më organizatën mafioze Ndrangheta për sjelljen e drogës nga prodhuesit amerikano-latine në Europë, veçanërisht në Itali.

Fuqia dhe kontrolli i grupeve shqiptare në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë është rritur shumë dhe mafia shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Massimiliano D’Angelantonio, kolonel në repartin special të karabinierisë italiane, pohoi për gazetarët e Rai-it se “grupet kriminale shqiptare kanë celula në të gjithë Europë dhe, madje, në Amerikën Latine”.

Ai shpjegoi se strukturat e krimit shqiptar veprojnë si struktura paralele dhe konkurente të krimit vendas në Itali. “Tregjet e qyteteve të mëdha nuk furnizohen më në mënyrë ekskluzive nga Ndrangheta, por edhe nga mafia shqiptare, e cila është në gjendje të importojë në Itali sasi të mëdha të substancave narkotike” u shpreh koloneli.

Francesco Mandoi një prokuror ndërlidhës midis autoriteteve shqiptare dhe prokurisë italiane, i vendosur në Tiranë, foli për rrugën Ballkanike të kalimit të heroinës aziatike përmes Shqipërisë. Rrëfimet e Mandoit dëshmojnë se grupet kriminale shqiptare nga Shqipëria dhe vendet fqinje kanë kontroll ekskluziv për trafikun e drogës nga Afganistani përmes rrugës Ballkanike.

Reportazhi pohon se opiumi afgan përpunohet në Ballkan dhe kjo dëshmohet nga laboratorët që janë zbuluar në Shqipëri dhe Kosovë të menaxhuar nga mafia shqiptare. Pastaj nga Shqipëria përmes kanalit të Otrantos ai dërgohet në Itali nga organizatata shqiptare të cilat e presin drogën gjithashtu në Itali.

Si rezultat, drejtësia italiane ka hetuar një numër të madh shqiptarësh të përfshirë në trafikun e drogës, por një pjesë e madhe e tyre kthehet në Shqipëri. Për këtë arsye drejtësia italiane ka krijuar në Tiranë një zyrë ndërlidhëse të hetimeve kundër krimit shqiptar. Si rezultat i përpjekjeve të kësaj zyre dhe bashkëpunimit me policinë shqiptare, vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti janë arrestuar në Shqipëri dhe ekstraduar në Itali 25 shqiptarë të kërkuar nga drejtësia italiane.

Massimo Gallore një nga oficerët e vendosur në Shqipëri pohoi se “krimi shqiptar nuk është më kriminalitet në shërbim të krimit italian” por ai është fuqizuar aq shumë sa tashmë aktivitetet kriminale drejtohen dhe menaxhohen nga vetë shqiptarët dhe ka italianë në shërbim të krimit shqiptar.

Duke sjellë rastin e grabitjes së Rinasit, gazetarët italianë shprehen se krimi ka liri të madhe veprimi në Shqipëri. Dëshmi e qartë e kësaj lirie është bumi i ndërtimeve në Tiranë që mendohet se ka ndodhur për shkak të të ardhurave të drogës. Sipas gazetarëve italianë të ardhurat nga trafiku i drogës në Shqipëri arrijnë deri në 3 miliardë euro në vit.

Mbështetur edhe në një sërë intervistash me ish-funksionarë të policisë shqiptare dhe me qytetarë të tjerë shqiptarë, gazetarët italianë pohojnë e përhapja e krimit ka ndodhur për shkak të kapjes së të gjitha niveleve të qeverisjes nga krimi. Reportazhi solli rastin e ish-Minsitrit Tahiri dhe përfshirjes së tij në trafikun e drogës në bashkëpunim me një organizatën e Habiljave, të drejtuar nga Moisi Habilaj i cili tashmë është dënuar në Itali.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>