Të paktën 10 për qind e tenderëve dhe kontratave të prokuruara nga bashkitë e gjithë vendit kanë problem ligjore, korruptive, klientelizmi dhe proceduriale.
Sipas një studimi të Open Procurement Albania, që merr në vëzhgim tenderët që prej korrikut 2015, janë të paktën 1612 tendera që kanë shkelje të ligjit dhe parimeve të prokurimit publik si mungesa e garës, pabarazia apo klientelizmi gjatë garës.
Rastet më të shpeshta janë tenderët me mungesë gare për fitimin e kontratës ose konkurrencës së munguar me vetëm një operator ekonomik në garë, fenomen ky shumë i përhapur gjatë qeverisjes Rama.
Sipas Open Procurement Albania, cilat janë llojet e shkeljeve më të përhapura?
1.Mungesa e konkurrencës
Prokurimi zhvillohet me një konkurrent të vetëm. Ligji shqiptar i lejon këto lloj procedurash. Shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokument në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk.
Nga 1612 tenderë me shkelje në total, në 953 raste ka pasur mungesë konkurrence.
2.Skualifimi i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit
Pavarësisht se sa operatorë marrin pjesë ën tender, vetem operatori fitues kualifikohet, ndërsa operatorët e tjerë skualifikohen për arsye të ndryshme teknike apo proceduriale dhe oferta e tyre nuk merret fare parasysh.
Nga 1612 tenderë me shkelje në total, në 399 raste ka pasur skualifikim të të gjithë operatorëve, përveç atij fitues.
3.Mungesë Gare, negocim i drejtpërdrejtë (mbi 5 milion lekë)
Janë kontrata pa garë që lidhen si pasojë e bisedimeve mes autoritetit dhe kompanive. Këto do duhej të lejohen vetëm në raste të caktuara, ku një situatë emergjente shoqërohet me nevojën për ndërhyrje të shpejtë përmes një kontrate. Në secilin rast publikimi i kontratës duhet të ketë në mënyrë eksplicite arsyen që çoi në kushtet e negocimit të drejtpërdrejtë. Për çdo procedurë negocim i drejtpërdrejtë pa shpjegim eksplicit të arsyes, do të vendoset një red flag (flamur i kuq që tregon rrezik)
Nga 1612 tenderë me shkelje në total, në 114 raste ka pasur negocim të drejtëpërdrejtë, pa hapur fare garë.