Këshilli i Lartë i Prokurorisë është plotësuar me 11 anëtarë pasi Eloida Hoxhi dhe Moisi Duda morën votëbesimin e kolegëve të tyre gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve.
Prokurorët e të gjithë vendit votuan sot për emërimin e dy anëtarëve në KLP pas vakancave të krijuara nga largimi i Besnik Canit dhe Arben Dollapajt nga vetingu.
Nga 5 kandidaturat që ishin paraqitur, prokurorët zgjodhën prokuroren e Beratit, Eloida Hoxha dhe prokurorin e Apelit të Durrësit, Moisi Duda.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë.
Anëtarët e KLP-së kanë mandat 5-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme.
KLP emëron, vlerëson dhe vendos masat disiplinore për prokurorët si dhe i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.