Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) miratoi sot kërkesën e drejtuesit të Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Arben Kraja, për transferimin e përkohshëm të prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara pranë kësaj prokurorie.
Vendimi u miratua me nëntë vota pro. Drejtuesi i SPAK i kërkoi KLP të transferonte dy prokurorë, përkatësisht zotin Prençi dhe zotin Mara, për shkak të volumit të madh të çështjeve.
Vladimir Mara ushtronte detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurori Mara kaloi me vendim të formës së prerë procesin e vetingut. Zoti Mara ka qënë prokuror i disa çështjeve të rëndësishme si ajo e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Prokurori Mara ishte kandidat për SPAK, por u skualifikua nga KLP për të.
Dritan Prençi gjithashtu ushtronte funksionin pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurori Prençi kaloi vetingun me vendim të formës së prerë dhe ka qënë prokuror i disa çështjeve të rëndësishme si ajo e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, Orest Sotës dhe e financierit të Habiljave Nezar Seiti. Më 16 korrik, KLP skualifikoi nga gara për në SPAK prokurorin Prençi.