Prokurorët që hetojnë peshqit e mëdhenj përballë Arta Markut

Prokurorët që hetojnë peshqit e mëdhenj përballë Arta Markut

Sikurse raportuam më herët, prokuroria ka kërkuar heqjen e mandatit për deputetin Aqif Rakipi të PDIU-së dhe deputetin Gledion Rehovica të LSI-së.

Kërkesa drejtuar KQZ-së për ndërprerjen e mandatiti është bërë nga prokuroroja Rovena Gashi, shefe e sektorit të dekriminalizimit, e cila ka drejtuar hetimet ndaj tyre, nën parashikimet e ligjit të dekriminalizmit.

Para disa muajsh, prokurorja Gashi kërkoi marrjen e shenjave të gishtave të dy deputetëve, për krahasimin e tyre me ato të dy personave të dënuar në Itali dhe Zvicër, të dyshuar se mund të ishin deputetët Rakipi dhe Glehovica. Duket se verifikimi ka konfirmuar se dy deputetët kanë qenë të dënuar më parë në këto vende.

Si dënimi i tyre i mëparshëm, ashtu edhe mos deklarimi i dënimit, përbëjnë kushte për ndërprerjen e mandatit të tyre. Ndërsa, mosdeklarimi i dënimeve në formularin e dekriminalizimit është gjithashtu vepër penale e dënueshme me burg nga tre deri në shtatë vjet sipas nenit 190 të Kodit Penal.

Gledjon Rehovica është gjithashtu duke u hetuar nga prokuroria për një tjetër vepër penale, atë të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Deputetët Rakipi dhe Rehovica i shtohen numrit në rritje të politikanëve të lartë nën hetim nga prokuroria.

Ish-ministri Saimir Tahiri është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për bashkëpunim në trafikun e drogës në kuadër të një organizatë kriminale. Gjithashtu, një sërë ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit janë gjithashtu nën hetim për përfshirje në trafikunne drogës.

Së fundmi, është raportuar në media se kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është në hetim për disa krime të dyshuara, përfshi korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe lidhje me grupe kriminale.

Ndërkohë, prokuroria e Tiranës vazhdon hetimin për vrasjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës, hetime në të cilat edhe pse jo direkt i akuzuar është i përfshirë indirekt kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Ish-deputeti socialist Alfred Peza është nën hetim për pastrim parash, fillimisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe aktualisht ajo e Krimeve të Rënda.

Një kompani e gruas së kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini është nën hetim për përfshirje në trafikun e drogës, ndërkohë që vetë Zoti Sejdini është nën verifikime nga prokuroria në kuadër të veprimtarive kirminale të disa grupeve të organizuara në zonën e Elbasanit.

Ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi është nën hetim për shkelje të ligjit të dekriminalizimit, dhe sëbashku me ish-kryetarin socialist të Kavajës Gentian Daja janë pjesë e hetimeve për përvetësim të paligjshëm pronash në bregdet.

Hetime janë duke u zhvilluar edhe për grupin e njohur të Xibrakës, i cili kishte ngritur në fshatin pranë Elbasanit një fabrikë për përpunimin dhe paketimin e kokainës. Opozita ka akuzuar se në këtë aktivitet kriminal kanë qenë të përfshirë njerëz të afërt më Kryeministrin Rama.

Pikërisht, në këtë kontekst hetimesh të shumta të prokurorisë, të cilat përfshijnë figura të larta politike dhe publike, u emërua në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese nga shumica e Kryeministrit Rama Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku.

Zonja Marku—e cila nuk ka asnjë përvojë të rëndësishme në hetime, në përgjithësi, dhe në drejtimin e sistemit të prokurorisë, në veçanti, si dhe me një sërë pikëpyetjesh në të shkuarën e saj profesionale—është ish-vartësja e kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, i cili ka nxitur kandidaturën e saj.

Zonjës Marku iu desh të ndërpriste lejen e lindjes, e cila e kishte shkëputur atë nga puna në prokurorinë e Shkodrës për gati një vit e gjysëm, për të marrë detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Por duket se pavarësisht mangësive të saj, ajo nuk po humbet asnjë çast për të kryer tranformime rrënjësore në sistemin e prokurorisë. Këto ditë, në media po flitet se Prokurorja Marku, në kundërshtim me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet që rregullojnë aktivitetin e prokurorisë, po përgatitet të ndryshojë drejtuesit kryesorë të sistemit të prokurorisë.

Për shkak të mungesës së plotë të përvojës drejtuese dhe njohjes direkte të punës së organizimit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, plani i saj i rrufeshëm për ndryshime të thella në strukturën dhe drejtimin e sistemit të prokurorisë duket i nxituar, në rastin më të mirë, dhe ngjall dyshime se ai mund t’i jetë servirur i gatshëm, në rastin më të keq.

Fatkeqësisht në listën e largimeve që po qarkullon në media bëjnë pjesë edhe drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po kryejnë hetimet për shumicën e figurave të larta politike nën hetim.

E rrezikuar nga plani i Zonjës Marku mund të jetë edhe prokurorja Rovena Gashi, shefja e njësisë së dekriminalizimit, e cila gjatë dy viteve të fundit ka firmosur më shumë se çdo prokuror tjetër kërkesa për heqje imuniteti dhe ndërprerje mandatesh për deputetë dhe kryebashkiakë, përfshi së fundmi ato për deputetët Rakipi dhe Rehovica.

Nëse këto ndryshime të përfolura do të realizohen, përtej paligjshmërisë së tyre, pritet që të ketë reagime publike pasi kjo do të vertetonte natyrën krejtësisht politike të emërimit të Arta Markut në shërbim të Kryeministrit Rama dhe shumicës socialiste.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>