Prokurori i Tiranës Arben Nela po përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në kuadër të procesit të vetingut.
Arben Nela kandidon për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Prokurori Nela e ka nisur karrierën në vitin 1998 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Më pas ka punuar në Durrës deri në vitin 2008. Që prej 2008-ës, Nela punon në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Sot gjatë seancës dëgjimore, ILDKPKI dhe KPK raportuan se ka disa parregullsi në deklarimin e pasurisë së Nelës.
Prokurori ka një shtëpi 121 metra katrorë në Lanabregas. KPK raportoi se për blerjen e truallit, ka mungesë burimesh financiare dhe pasaktësi në deklarim.
Kështu, Nela ka deklaruar se nga shtëpia tre katëshë, ai ka vetëm një kat; ndërsa pjesa tjetër i takon të atit dhe vëllezërve. Por sipas KPK-së, mungon dokumentacioni për ta verifikuar këtë deklaratë.
Prokurori Nela ka në pronësi dhe një apartament në Tiranë me vlerë 41 mijë euro. Për këtë bleeja janë përdorur kurisme nga pagat e prokurorit dhe bashkëshortes, si dhe një hua prej 25 mijë eurosh nga motra e bashkëshortes. Për blerjen e këtij apartamenti, pagesat janë bërë me para në dorë.
Prokurori Nela kundërshtoi gjetjet e hetimit të institucioneve duke u shprehur se ka deklaruar saktësisht pasusitë e tij dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.