Prokurori Hajdarmataj në apelin e vetingut, pas akuzave të dyshimta dhe fyerjeve të vëzhguesit

Nga Exit Staff
Prokurori Hajdarmataj në apelin e vetingut, pas akuzave të dyshimta dhe fyerjeve të vëzhguesit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) do të marrë një vendim përfundimtar ditën e premte nëse Prokurori i Tiranës Besim Hajdarmataj do të vazhdojë të ushtrojnë detyrën pas kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin e tij.

Hajdarmataj u bë i njohur për publikun kur bashkë me prokurorë të tjerë, në vitin 2017 kërkuan arrestimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri për akuzën e trafikut të drogës.

Ai ka punuar për 22 vite si prokuror në Prokuroritë e Tropojës, Kurbinit,  Durrësit e Tiranës. Në vitin 2016, ai u emërua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa kur kjo u shkri dhe u krijua SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e transferoi Hajdarmatajn në Prokurorinë e Tiranës.

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit (KPK) e konfirmoi atë në detyrë më tetor 2019, pasi nuk gjeti probleme në asnjë nga tri kriteret e vlerësimit: deklaratën e pasurisë, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.

Në dhjetor 2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i rekomandoi Komisionerit Publik (KP) të apelonte konfirmimin e Hajdarmatajt dhe të kërkonte shkarkimin e tij. Vëzhguesit e huaj kërkuan hetim të thelluar për profesionalizmin dhe pasurinë e prokurorit, që sipas tyre do ta çonte KPA-në në vendimin për ta shkarkuar.

Rekomandimi i ONM-së dhe argument e tyre u mbështetën nga KP Dariel Sina, i cili pak ditë më vonë i paraqiti KPA-së kërkesën për shkarkimin e prokurorit Hajdarmataj.

Në qershor 2021, prokurori iu përgjigj akuzave dhe pretendimeve të ngritura nga këto dy institucione në lidhje me pasurinë dhe profesionalizmin e tij.

Çështja e parë për mungesë profesionalizmi lidhet me kohën kur Hajdarmataj ishte prokuror në Kurbin në vitin 2010. KP dhe ONM e akuzojnë atë se nuk ka kryer veprimet e duhura hetimore kur një grup punonjësish të Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit kallëzuan disa persona se i kishin kërcënuar dhe u kishin marrë 5 makina të lojërave të fatit që ata kishin sekuestruar.

Komisioneri pretendoi se prokurori kishte pasur miqësi me njërin ndër personat e kallëzuar, me të cilin kishte udhëtuar në të njëjtën ditë, dhe në një rast tjetër kishte shkëmbyer edhe mesazhe në telefon. Si rezultat, pretendoi komisioneri, Hajdarmataj e kishte pushuar çështjen 1 vit e 3 muaj pasi ai vetë e kishte hapur.

Prokurori u përgjigj në seancën dëgjimore në qershor se ai e kishte hetuar këtë çështje pasi ishte prokurori i gatshëm në detyrë ditën kur ndodhi ngjarja dhe jo se e kishte zgjedhur.

Ai tha se personi i pretenduar se ndikoi në pushimin e çështjes, as nuk ishte i proceduar në këtë rast. Udhëtimi i tij në të njëjtin avion me këtë person ka qenë rastësi, dhe gjithsesi nuk përbën argument për çështjen në fjalë. Ndërsa për komunikimin me mesazhe, Hajdarmataj tha se ai vetëm kishte marrë një mesazh, të cilit nuk i ishte përgjigjur, dhe nuk mund të mbahej përgjegjës për këtë.

Prokurori argumentoi se hetimi administrativ kishte vënë në dyshim rolin e Njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit, e cila urdhërin e punës për rastin në fjalë e kishte paraqitur disa orë pasi ishte kryer kallëzimi. Ai tha se vlerësimet e ONM/KP se ai nuk kishte kryer veprimet e duhura hetimore ishin paragjykuese, të pabazuara dhe se nuk lidhen me vlerësimin e tij profesional, por me themelin e çështjes.

Katër çështjet e tjera të lidhura me profesionalizmin e Hajdarmatajt kanë të bëjnë me vendimet e tij për t’i transferuar ato në prokurori të tjera.

E para është një çështje ku policia kishte sekuestruar 12 ton kanabis në Përmet në vitin 2017. Me kërkesë të prokurorit të çështjes te Krimet e Rënda, të cilin e drejtonte Hajdarmataj, ky vendosi ta transferojë te Prokuroria e Përmetit. ONM/KP pretendojnë se sasia e drogës është shumë e madhe, ndaj duhej mbajtur te Krimet e Rënda. Ata e akuzojnë Hajdarmatajn se nuk ka verifikuar siç duhet ecurinë e çështjes.

Prokuroi u përgjigj se ai kishte respektuar vendimin e prokurorit të çështjes, bazuar në detyrimin e tij ligjor për të respektuar pavarësinë e prokurorit. Ai shtoi se ky prokuror më vonë e kaloi vetingun dhe sot është prokuror në SPAK – atij nuk iu gjet problem në këtë çështje.

Për më tepër, transferimi i çështjes nuk bazohej te sasia e drogës së kapur, por te personat nën hetim, që ishin një kryeplak dhe një elektriçist, të cilët nuk përmbushnin kushtet për t’u klasifikuar si grup i strukturuar kriminal, që të mund të hetoheshin nga Krimet e Rënda. Hajdarmataj tha se në çastin e sekuestrimit, policia duhet të kishte përfshirë prokurorinë e rrethit ose Krimet e Rënda, të cilat do të mund të thellonin menjëherë hetimet, por kjo nuk kishte ndodhur.

E dyta është një çështje e vitit 2013 te Krimet e Rënda, për të cilën ONM/KP e akuzojnë Hajdarmajtajn se e transferoi për kompetencë në Shkodër në vitin 2016, pa u kryer asnjë hetim.

Prokurori argumentoi se kur kishte ardhur në krye të Krimeve të Rënda në 2016 i kishte gjetur hetimet të papërparuara. Ai kishte miratuar kërkesën për transferimin e dosjes për kompetencë në Shkodër pikërisht sepse hetimet nuk kishin ecur.

Të dy prokurorët që u morën me këtë çështje kanë kaluar vetingun – njëri është në SPAK, tjetri drejton prokurorinë në të madhe në vend. Për më tepër, për këtë çështje Gjykata e Shkodrës dënoi 12 persona.

ONM/KP vunë në dyshim arsyet se për dërgimin e për kompetencë të dy dosjeve të tjera: në 2013, nga prokuroria e Durrësit në atë të Elbasanit, dhe në 2015, nga Krimet e Rënda në prokurorinë e Durrësit.

Hajdarmataj u përgjigj se pretendimet e tyre janë të pabazuara dhe të paargumentuara. Ai këmbënguli se vendimet e tij në këto dy raste kishin qenë korrekte dhe se kjo provohej nga fakti se ato nuk ishin ankimuar.

Në lidhje me pasurinë, ONM/KP vunë në dyshim se si Hajdarmataj kishte mundur të kursente një pjesë të 35 mijë lekëve bonus karburanti në muaj. Prokurori i përgjigj se kursimet në fjalë ishin të paraqitura në llogarinë e tij bankare, kronologjia e të cilës vërtetonte se si ishin kursyer të hollat.

Ata ngritën dyshime edhe për pagesën e një siguracioni të padeklaruar makine në 2010, ku figuron emri i Hajdarmatajt. Prokurori argumentoi se siguracioni i përkiste të vëllait, i cili kishte vendosur edhe emrin e tij, pa dijeninë e prokurorit, në rast se ky do ta përdorte ndonjëherë makinën, megjithëse kjo nuk kishte ndodhur.

Dyshimi më i fortë i ONM/KP për pasurinë e prokurorit u hodh mbi atë se ai është përpjekur të fshehë një shtëpi në pronësi të dy vëllezërve të tij, ku edhe ai vetë jeton, si dhe burimet për të.

Prokurori argumentoi se ai ka deklaruar që në 2009 që banon aty, se shtëpia është në pronësi të dy vëllezërve, njëri prej të cilëve jeton në Britani të Madhe, të cilët e kanë blerë për 52 580 euro. Hajdarmataj tha se është absurde të mendosh se ai po fsheh banesën ku jeton me familjen e tij të madhe.

Komisioneri këmbënguli se edhe nëse arsyet e paraqitura nga ata mund të mos vlerësohen të mjaftueshme kur merren një nga një, të gjitha së bashku ato duhet të çojnë në shkarkim, pasi mund të arrihet në përfundimin se Hajdarmataj ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Në paraqitjen e akuzave të ONM, vëzhguesi Teo Jakobs përdori një gjuhë të pazakontë dhe ofenduese ndaj prokurorit. Ai u shpreh se “është e turpshme” që një prokuror ta kryejë punën “sikur je përgjegjës për letrën higjenike”. Ai tha se nuk ishte i bindur nëse puna veprimet e prokurorit ishin “për shkak të budallallëkut apo të qëllimshme”.

Në mbrojtjen e tij në muajin qershor, Hajdarmataj tha se pas mbi 20 vjetësh shërbimi në drejtësinë e vendit, ai ndihej i fyer nga qëndrimet subjektive dhe gjuha e padenjë e vëzhguesit të ONM Teo Jakobs.

Hajdarmataj theksoi se ankimimi i Komisionerit nuk ishte bërë mbi baza objektive dhe se kërkesa për shkarkimin e tij nuk ishte proporcionale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>