Procesi i ngadaltë i vetingut dhe shkarkimet e shumta po shkaktojnë gjithnjë e më tepër probleme në burimet njerëzore dhe kapacitetet e prokurorisë për të vazhduar punën normalisht.
Këtë shqetësim e ngriti sot Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në një konferencë për sfidat e prokurorisë në dritën e reformës në drejtësi, ku ishin të pranishëm dhe ambasadorët Yuri Kim e Luigi Soreca dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kryeprokurori Çela u shpreh:
“Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota.
Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin.”
Exit News ka shkruar vazhdimisht për mënyrën se si reforma në drejtësi është kthyer në praktikë në një problem serioz për sistemin e drejtësisë, veçanërisht për mungesën e burimeve njerëzore.
Një ndër arsyet kryesore për këtë është procesi i ngadalshëm i vetingut dhe mungesat e shumta që ai po shkakton në radhët e magjistratëve, për të cilat deri tani nuk ka një zgjidhje të plotë nga institucionet përkatëse.
Mesatarisht, duke llogaritur që nga momenti që u hap dosjet e para të vetingut, më 1 dhjetor 2017, KPK ka zhvilluar 1,6 seanca në javë, pra me më pak se dy magjistratë në javë.
Sipas një analize të Exit News, të cilën mund ta lexoni këtu, nëse KPK do të ecë më të njëjtin ritëm si tani, KPK-së do t’i duhen edhe 7 vite të tjera për të mbyllur procesin e vetingut.
Sipas këtyre llogarive dhe pa marrë parasysh ankimimet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, faza e parë e vetingut, ajo e përballjes me KPK-në, mbaron në fillim të vitit 2027.
Ndërsa procesi i apelimit, deri më tani, ka treguar se kërkon edhe më shumë kohë se procesi në KPK për t’u mbyllur, ç’ka do t’i shtonte edhe disa vite të tjera përfundimit të procesit të plotë të vetingut.
Problemi tjetër i vënë re deri tani është përqindja e lartë e gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar nga vetingu ose dorëhequr: rreth 50 për qind, pra një në dy magjistratë, në fund të procesit të vetingut nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë.
Nëse ky trend vazhdon, në fund të vetingut, rreth 400 gjyqtarë dhe prokurorë do të jenë larguar nga sistemi i drejtësisë.
Kjo shifër do të duhet të shkaktonte reagim të menjëherëshëm nga institucionet dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme për rritjen e numrit të studentëve në Shkollën e Magjistraturës.
Me një llogari të thjeshtë, Shkolla e Magjistraturës do duhej të nxirrte që prej 2019-ës të paktën 50 magjistratë të diplomuar çdo vit për të kompensuar këto largime.
Në realitet ky numër duhet të jetë shumë më i lartë, për shkak të kohëzgjatjes së programit të studimit dhe dosjeve të prapambetura në gjykata, të shkaktuara nga procesi i ngadaltë dhe i rrëmujshëm i reformës në drejtësi. Vetëm në Gjykatën e Lartë ka aktualisht rreth 29 mijë dosje të prapambetura dhe kjo gjykatë ka mbetur aktualisht me vetëm një gjyqtar, Ardian Dvoranin.