
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela pezulloi garën për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për shkak të pandemisë Covid-19.
Në një njoftim zyrtar, Çela pohon se për shkak të masave të reja të cilat ndalojnë grumbullimet do të pezullohet zgjedhja e dy anëtarëve të rinj në KLP.
“Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela nisur nga vijueshmëria e gjendjes së epidemisë në vend të krijuar nga përhapja e COVID-19, në zbatim të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve të datës 17.11.2020 dhe Urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, ka vendosur pezullimin e procedurës së shprehjes së interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shpallur në datë 13.11.2020, deri në një njoftim të dytë. “
KLP përbëhet nga 9 anëtarë nga 11 që duhet të ketë. Prokurori i Përgjithshëm nisi procedurën për zëvendësimin e Arben Dollapaj dhe Besnik Canit, të cilët u shkarkuan nga vetingu.