Në një zhvillim, në dukje rutinë, drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Anton Martini, u transferua para disa ditësh prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ky emërim është një tjetër veprim i paligjshëm në vazhdën e emërimeve, shkarkimeve dhe ndryshimeve strukturore të paligjshme të Prokurorës së Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku, qysh pas ardhjes së saj në mënyrë antikushtetuese në krye të sistemit të prokurorisë.
Emërimi i Martinit është domethënës për faktin se për të hetuar korrupsionin e politikanëve të lartë dhe krimin e organizuar po emërohet dikush mbi të cilin ka hije dyshimi për aktivitetin e tij në të shkuarën.
Anton Martini është prokurori që ngriti akuzat e rënda për tradhëti dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore kundër Dritan Zaganit dhe që urdhëroi arrestimin e tij. Tashmë, është e qartë se këto akuza u hartuan me ndërhyrjen direkte dhe në shërbim të ish-Ministrit Saimir Tahiri—si shef i antidrogës së Fierit, Zagani raportoi tek shefat e tij aktivitetin e trafikut të drogës të vëllezërve Habilaj duke përdorur makinën tashmë të famshme të Tahirit.
Me anë të akuzave të sajuara të ngritura nga Martini, Dritan Zagani u mbajt për disa muaj i burgosur, por më në fund Gjykata e Krimeve të Rënda i hodhi poshtë akuzat e Martinit duke e reduktuar çështjen në shpërdorim detyre dhe duke ja kaluar hetimet Prokurorisë së Fierit.
Përdorimi i Martinit nga Tahiri jo vetëm që solli persekutimin e padrejtë të Dritan Zaganit, por praktikisht garantoi vazhdimin e aktivitetit të trafikut nga vëllezërit Habilaj nën mbrojtjen e Saimir Tahirit—Martini kishte “eleminuar”, kështu, rrezikun e bërjes publike të veprimtarisë së tyre kriminale. Vetë Zagani ka komentuar ashpër para pak muajsh fjalën e përhapur që atëherë se Martini mund të vihej në krye të Krimeve të Rënda.
Rasti tjetër i debatueshëm i Anton Martinit ka qenë hetimi për mbi gjashtë muaj i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako për bashkëpunim me grupe kriminale për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2017. Në këtë hetim, Martini në mënyrë të pashpjegueshme nuk përfshiu si provë një sërë përgjimesh të bisedimeve telefonike ndërmjet Dakos dhe elementëve kriminalë, ku diskutoheshin favoret që Dako do t’ju ofronte kriminelëve me kontrata dhe fonde publike në shkëmbim të sigurimit nga ana e tyre të votave në favor të PS-së. Ky veprim i Martinit, praktikisht e shkatërroi hetimin ndaj Dakos dhe hetimi vazhdon të mbetet i bllokuar.
Premtimi i reformës në drejtësi ishte se sistemi do të pastrohej nga ndikimi politik, nga korrupsioni, inkriminimi dhe paaftësia. Por realiteti është se i gjithë sistemi i prokurorisë është i kapur dhe në shërbim të interesave politike dhe private. Ndaj Martini, në vend të ishte të paktën nën hetim të brendshëm për rastin Zagani, ai tashmë është njeri i besuar i Arta Markut dhe atyre që e kontrollojnë atë.
Në fakt, një polic gjyqësor i tha Exit.al në mënyrë anonime se, Anton Martini është sjellë tek Krimet e Rënda me një objektiv konkret: marrjen përsipër të hetimeve të Adriatik Llallës dhe arrestimin e tij. Është shërbimi i fundit që Arta Marku dhe Edi Rama po i bëjnë ambasadorit amerikan Donald Lu.
Lu është propozuar si Ambasador i SHBA-ve në Kirgizistan dhe pritet të dalë në seancë dëgjimore para Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit të SHBA-ve në mes të muajit korrik. Prioriteti i Lusë, tashmë, është të sigurohet se gjatë seancës dëgjimore nuk do të ketë supriza.
Shqetësim kryesor mbeten akuzat publike të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Llalla, sidomos ato për pengimin e hetimeve ndaj Bankers Petroleum, për mungesë mbështetje në luftën kundër drogës dhe mbrojtje të deputetëve të inkriminuar socialistë. Këto akuza janë bërë zyrtarisht nga Llalla edhe në një dëshmi me shkrim për Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan—dëshmia me shkrim e Llallës u paraqit nga Kongresmeni Dana Rohrabacher, Kryetar i Nënkomitetit të Mbikqyrjes dhe Hetimeve në Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit dhe është pjesë e rekordeve zyrtare të Kongresit Amerikan.
Mënyra më e mirë që Lu të përballojë pa problem pyetje të mundshme në lidhje me këto akuza është që Adriatik Llalla të jetë i arrestuar në momentin kur Lu do të dalë para Senatit, në mes të korrikut. Nëse Llalla është një “zyrtar i korruptuar dhe i diskredituar”, sikurse Lu e ka etiketuar atë publikisht, atëherë edhe akuzat e Llallës ndaj Lusë janë të pabesueshme dhe lehtësisht të diskreditueshme para senatorëve amerikanë.
Për këtë qëllim, këto ditë të fundit të qëndrimit të tij në Tiranë—Lu ka mbyllur të gjitha detyrimet dhe do të largohet nga Shqipëria menjëherë pas pritjes për Ditën e Pavarësise që Ambasada amerikane do të japë më 29 qershor—në bashkëpunim me Arta Markun, Lu po luan kartën e fundit për të siguruar arrestimin e Llallës, përdorimin e prokurorit që u përdor nga Tahiri për të arrestuar padrejtësisht Zaganin.
Hetimi i Adriatik Llallës ka qënë që në krye hetim politik. Pavarësisht nëse Llalla është apo jo i korruptuar, madje edhe nëse supozohet se ai vërtet është i korruptuar, procesi ndaj tij duhet të jetë proces i drejtë.
Por në të vërtet procesi ndaj tij ka qënë tërësisht i nxitur dhe i ndikuar nga Ambasadori Lu, i cili e ka sulmuar, akuzuar dhe shpallur fajtor Llallën publikisht më shumë se një herë—në shkelje të çdo standardi të drejtësisë dhe në shkelje të çdo standardi diplomatik. Madje akuzat e hetimit ndaj Llallës u bënë të ditura publikisht për herë të parë nga Lu. Nga ana tjetër, disa media të financuara apo të lidhura me Ambasadën Amerikane gjithashtu kanë zhvilluar një fushatë sistematike keqinformimi dhe lajmesh fallco ndaj Lallës.
Por edhe pse Llalla po hetohet prej muajsh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve të mëparshme disa mujore të Prokurorisë së Durrësit, prokurorët nuk kanë zbuluar fakte apo prova që mund të justifikojnë ngritjen e akuzave zyrtare ndaj Lallës. Për këtë arsye, asnjë nga shumë prokurorët që është marrë me këtë çështje nuk ka mundur të lëshojë urdhër arresti për Llallën.
Për shkak të mungesës së provave, ata i kanë rezistuar trysnisë së madhe të kohëve të fundit nga ambasadori amerikan për arrestimin e Llallës—trysni e ushtruar kryesisht nga oficeri i misionit të ODPAT-it Gjon Junçaj, njeriu i zakonshëm me anë të të cilit Ambasadori Lu realizon prej muajsh ndërhyrjen e tij në çështjet e prokurorisë. Një burim pranë prokurorisë pohoi për Exit.al se Gjonçaj nga njëra anë kërcënon me veting prokurorët, nga ana tjetër premton mirënjohjen e qeverisë amerikane nëse prokurorët veprojnë siç kërkon ambasadori amerikan.
Përballë rezistencës së prokurorëve, pasi emëruan në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prelën, shoqen e ngushtë të Arta Markut—emërim që u përshëndet direkt nga Ambasadori Lu—tani Lu dhe Marku kanë vendosur të përdorin Martinin për të bërë arrestimin e Llallës, fillimisht duke e emëruar atë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe pastaj duke ja kaluar atij përgjegjësinë e hetimeve të Lallës.
Nëse do të ndodhë, do të jetë një përdorim skandaloz i drejtësisë shqiptare për interesa private nga Ambasadori Lu dhe një tjetër shenjë e një sistemi prokurorie të shkatërruar dhe të kthyer në një institucion privat në shërbim të interesave politike.