Prokuroria e Posaçme apelon vendimin për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Llalla

Nga Exit News
Prokuroria e Posaçme apelon vendimin për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Llalla

Prokuroria e Posaçme e SPAK ka ankimuar në Apelin e Posaçëm një pikë të vendimit që çoi për gjykim çështjen e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Bëhet fjalë për një pikë të vendimit mbi shpenzimet e hetuara që ish-kryeprokurori kishte bërë për shkollimin e fëmijëve të tij. Siç njoftojnë burime për A2 CNN, prokurorët e SPAK kërkojnë që Llalla të procedohet penalisht edhe për këto shpenzime për të cilat ai ka marrë gjobë më parë nga ILDKP sepse nuk i kishte deklaruar saktë.

Kur gjykata vendosi të çojë për gjykim dosjen e ish-kryeprokurorit, vlerësoi se deri sa ai ka marrë një gjobë për këtë rast, nuk mund të procedohej penalisht në këtë moment. Me këtë argument nuk bien dakord prokurorët e SPAK të cilët e kanë ankimuar vendimin.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e SPAK për dërgimin në gjyq të ish-kryeprokurorit në 19 nëntor.

Në mars 2020, SPAK mbylli hetimet për Llallën dhe dërgoi në gjykatë çështjen. Llalla akuzohet për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” kryer në tre raste. Kjo vepër penale, sipas Kodit Penal, dënohet deri në 3 vjet burgim.

Hetimet ndaj tij nisën në mars të vitit 2018 dhe u zgjatën vazhdimisht.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u hetua për katër vepra penale; fshehje pasurie, mosdeklarim i të ardhurave në kufi, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, por në fund tre akuza u rrëzuan dhe mbeti në fuqi vetëm ajo për fshehje pasurie.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>