Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën në hetimin e kallëzimit penal të Presidentit Meta kundër kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Vendimi u mor nga prokurori i çështjes Alket Mersini i cili argumentoi se kompetencën për të hetuar këtë çështje e ka Prokuroria e Posaçme, pasi zoti Dvorani është funksionarë i lartë. Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji “Për Prokurorinë e Posaçme” përcaktojnë se kjo prokurori ka kompetencën të hetojë funksionarët e lartë të shtetit kur kryejnë vepra penale gjatë ushtrimit të detyrës.
Disa javë më parë, Presidenti Meta paditi për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore”.
Kallëzimi vjen pas ngërçit në Gjykatën Kushtetuese ku Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari pretendojnë të njëjtin vend, njëra e zgjedhur nga Parlamenti dhe tjetra nga Presidenti. Zoti Meta e fajëson Zotin Dvorani si përgjegjës për situatën, pasi ai i ka dërguar qëllimisht dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante.