Prokuroria i ofron mbrojtje të dyshuarit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko

Nga Exit News
Prokuroria i ofron mbrojtje të dyshuarit për vrasjen e ish-policit Santiago Malko

Për të zbardhur vrasjen e ish-policit Santiago Malko për të cilin dyshohet një grup prej 9 personash, Prokuroria e Tiranës shpreson te bashkëpunimi i Ilir Selmanit, të cilit i ka ofruar statusin e të penduarit.

Selmani, 35 vjeç, u arrestua të enjten nga policia si pjesëtar i grupit të dyshuar për vrasjen e ish-policit.

Mediat raportuan të premten se Selmanit i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë megjithëse ai ka mohuar dijeninë dhe lidhjet me vrasjen e ish-policit.

Për Selmanin, Gjykata e Shkallës së parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg, si i dyshuar për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Statusi i bashkëpunëtorit mund ta lehtësojë nga këto akuza.

Malko u vra në gusht të vitit 2019 në rrugën Xhanfize Kejko me një atentat të stilit mafioz.

Ai njihej për shoqërinë me Ervis Martinajn, ky i fundit akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentash, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Selmani u arrestua në një apartament rreth 1 kilometër larg vendit ku ndodhi vrasja.

Policia i gjeti atij një pistoletë, të cilën pretendoi se e mbante për vetëmbrojtje nga frika se mos kundërshtarët e grupit mund ta sulmonin.

Në vrasjen e Malkos dyshohet se morën pjesë 9 persona, 7 prej të cilëve janë në arrati:

Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani (arrestuar), Blendi Teta (arrestuar), Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhon Nica.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>