Prokuroria e Krujës ankimoi vendimin e dhënë të martën nga gjykata për lirimin nga burgu të Endrit Dokles.
Top-Channel raportoi se Prokuroria ka kërkuar rikthimin e tij në burg dhe përjashtimin e gjyqtares së çështjes Enkeleda Hoxha me arsyetimin se:
“[…] pasi është njohur me fashikullin e gjykimit ka rezultuar se i njëjti trup gjykues ka gjykuar kerkesa të tjera penale si ndryshimi i llojit të sigurisë së burgut, njohje paraburgimi, amnistisë, etj, dhe krijoi bindjen e plotë se ky trup gjykues ka paragjykuar cështjen. Fakte këto që tregonin se kjo gjyqtare nuk krijonte besimin e duhur për të vazhduar të shqyrtonte këtë çështje”.
Ish-anëtari i Bandës së Durrësit, Endrit Dokle u lirua me kusht ditën e djeshme. Gjyqtarja Enkeleda Hoxha pranoi kërkesën e tij për ta konvertuar dënimin e përjetshëm në dënim 25 vjeçar, dhe vendosi ta lironte me kusht pasi kishte kryer ¾-ën e dënimit 25 vjeçar dhe kishte siguruar kontratë pune në një firmë ndërtimi.
Prokuroria argumenton se “nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuar përsëritës dhe për të dënuarit përjetë”.
Endrit Dokle është emri i radhës i një liste prej së paku 6 kriminelësh të rrëzikshëm, që mund të përfitojë lehtësira nga sistemi i drejtësisë.
Viktor Ymeri ish-anëtar i bandës së Vlorës u lirua në fund të vitit 2019. Drejtuesi i bandës së Beratit, Lulzim Caka, akuzuar për 5 vrasje nuk u dënua me burgim të përjetshëm dhe në vitin 2019 u lirua parakohe.
Dy prej anëtarëve të tjerë të bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha dhe kunati tij Plaurent Dervishaj, akuzuar për të paktën 4 vrasje. I pari i shpëtoi dënimit me burg përjetë dhe në vitin 2016 iu dha liria edhe pse kishte edhe 6 vite burg për të shlyer. Tjetri nuk bëri asnjë ditë burg.
Kreu i bandës së Lushnjes, Aldo Bare, akuzuar për 5 vrasje. Dënuar më parë me burgim të përjetshëm. Prej vitit 2017 ka fituar të drejtën për rigjykim.
Në këtë listë bën pjesë edhe Dritan Dajti, akuzuar për vrasjen e 4 policëve. Dënuar më parë me 4 burgime të përjetshme. Rigjykuar në shkurt 2019 dhe dënuar me 25 vite burg është rasti i radhës që për çështje llogarish mund të lirohet.