Gazeta Panorama njofton se Prokuroria e Përgjithshme pak javë më parë ka nisur hetimet për kompaninë Bankers Petroleum në lidhje me lëkundjet e tokës në Patoz- Marinzë.
Me kërkesë të Prokurorisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe institucione të tjera të specializuara kanë ngritur një grup pune për të hetuar nëse lëkundjet e tokës në dhjetor të viti 2016 dhe janar të vitit 2017 janë shkaktura nga kërkimet për naftë të kompanisë. Ekspertët do të vlerësojnë edhe dëmet e shkaktuar në prona private dhe publike.
Pavarësisht nga kjo, banorët e fshatit Zharrës në Mallakastër, prej katër ditësh ndodhen në grevë urie. Ato shprehen se lëkundjet e tokës kanë vazhduar dhe se nuk kanë marrë dëmshpërblimin e premtuar.
Kjo është greva e dytë brenda dy muajve nga banorët e fshatit. Greva e organizuar më 21 dhjetor, zgjati një javë dhe u mbyll pas ngritjes së grupit ndërinstitucional të punës nga Kryeministri Rama. Problemet e banorëve me kompaninë naftënxjerrëse kanë vite që vazhdojnë pa asnjë zgjidhje nga qeveritë.
Në vitin 2013, banorët e këtij fshati u përballën me tri lëkundje të forta sizmike me fuqi katër ballë. Në shenjë proteste, banorët bllokuan rrugën Fier-Berat dhe hynë në grevë urie derisa qeveria pezulloi aktivitetin e kompanisë.
Në vitin 2015, qeveria pezulloi aktivitetin e Bankers Petroleum sepse gjatë shpimit të një prej puseve të naftës u çlirua në ajër gaz i dioksididit të karbonit. Qeveria i vendosi disa kushte kompanisë përpara se ajo të lejohej të fillonte punë. Kompania filloi punë pak kohë më pas, por ende nuk janë bërë publike nëse kompania i ka plotësuar kushtet e vendosura nga qeveria.
Bankers Petroleum është një ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit dhe shfrytëzues thuajse pa asnjë kompensim të një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit tonë. Ajo u krijua në vitin 2014 dhe u shit në shtator të viti 2016 tek një kompani kineze.