Prokuroria nis ndjekjen penale ndaj Valdrin Pjetrit për fshehje të dënimit në Itali

Nga Redaksia
Prokuroria nis ndjekjen penale ndaj Valdrin Pjetrit për fshehje të dënimit në Itali

Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot akuzat e opozitës se ish-kandidati për Kryetar të Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri, ka fshehur një dënim të marrë në Itali dhe se për këtë ai do të ndiqet penalisht nga Prokuroria e Tiranës.

një njoftim për shtyp Prokuroria e Përgjithshme tregoi se pas verifikimeve kishte rezultuar e vërtetë që Zoti Pjetri nuk deklaroi në formularin e dekriminalizimit se në vitin 2003 ishte arrestuar, dënuar dhe dëbuar nga Italia për lëndë narkotike:

  • më 27 janar 2003 është arrestuar me drogë së bashku me një person tjetër në Firence, Itali
  • është dënuar me 18 muaj burg dhe gjobë 1,000 euro
  • më 3 shkurt 2003 i është revokuar lejeqëndrimi dhe një ditë më vonë është dëbuar për 12 vite nga Italia

Në njoftimin e saj Prokuroria e Përgjithshme thotë se për fshehjen e këtij dënimi Zoti Pjetri do të ndiqet penalisht për “falsifikim dokumentash” dhe çështja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Për fshehjen e dënimit, opozita e akuzoi Zotin Pjetri që në muajin korrik. Ai u tërhoq nga marrja e mandatit duke e lënë Bashkinë Shkodër nën drejtimin e Voltana Ademit, së cilës i ka mbaruar mandati.

Autoriteteve iu deshtën rreth 5 muaj për të marrë dhe verifikuar deklaratat e opozitës. Ish-kandidati socialist rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burg.

Përveç Zotit Pjetri, opozita akuzoi për fshehje të së shkuarës në deklaratat e dekriminalizimit edhe kryeabashkiakët e Vaut të Dejës dhe Vorës, Mark Babanin dhe Agim Kajmakun. Ky i fundit pas verifikimeve rezultoi vërtetë se nuk kishte deklaruar arrestimin dhe hetimin në Greqi për përdorim parash të falsifikuar, nën identitet të rremë Jorgo Toto.

Aktualisht Kajmaku është dënuar me burg në mungesë, pasi autoritetet nuk mundën ta arrestonin. Bashkia Vorë drejtohet nga nënkryetari Gentian Picari, emëruar nga Zoti Kajmaku një ditë përpara se t’i hiqej mandati.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>