Prokuroria nis verifikimin e kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj

Nga Exit News
Prokuroria nis verifikimin e kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit të kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj për të vijuar me verifikimin e tij.

Kërkesa i është dërguar KQZ-së më 13 janar dhe arsyetohet me verifikimin e pastërtisë së figurës së kryebashkiakut të Mallakastrës kërkuar nga Partia Demokratike (PD) disa ditë mëp arë.

“[…] kërkojmë përcjelljen sa më parë në Prokurorinë e Përgjithshme të formularit të vetëdeklarimit të zotit Qerim Ismailaj, si dhe bashkëlidhur, çdo verifikim paraprak të kryer nga ana juaj [KQZ], për të vijuar me verifikime më të thelluara […].”

PD ka denoncuar me dokumente se në vitin 2000 zoti Ismailaj është dënuar me 3 vite burg nga autoritetet greke me akuza të rrahjes së një personi. Për këtë denim PD ka kërkuar prej një jave verifikimin e tij.

Kryebashkiaku Ismailaj ka mohuar disa herë akuzat duke theksuar se nuk ka dijeni për dokumentet e publikuara nga PD dhe se ka udhëtuar vazhdimisht pa probleme në Greqi.

Zoti Ismailaj është kryebashkiaku i katërt i denoncuar nga PD për fshehje të dënimeve të marra në të shkuarën në formularët e dekriminalizimit.

Pas zgjedhjeve monopartiake të 30 qershorit, PD ka denoncuar kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani, ish-kandidatin për Bashkinë Shkodër, Valdin Pjetri, dhe kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>