Prokuroria e Tiranës vendosi sot pushimin e çështjes kundër ish Prokurores së Përgjithshme në detyrë Arta Marku. PD dhe LSI e kallëzuan zonjën Marku në janar të këtij viti, për shpërdorim detyre për rastin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Bujar Sheshi.
Vendimi i prokurorit të çështjes Ervin Karanxha, pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Ardian Kalia.
PD dhe LSI akuzuan se Arta Marku, nuk kishte verifikuar të kaluarën e prokurorit Sheshi. Bazuar në nenin 7 të ligjit për organet e sistemit të drejtësisë, sipas së cilit, një ish-anëtar apo informues i sigurimit të Shtetit nuk mund të jetë anëtar i institucione të reja të drejtësisë, e njejta kërkesë ëshë bërë për të gjithë anëtarët e tjerë të KLP-së.
Në një raport të publikuar më 22 janar, AIDSSH shprehet se një person me emrin Bujar Ramiz Sheshi, i lindur më 15 dhjetor 1957, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Vetë prokurori e mohoi të ketë qenë informator në të shkuarën. Për këtë arsye, Sheshi kallëzoi në prokurori AIDSSH-në për falsifikim dokumentesh.
Ndërkohë, ish Kryeprokuroja Marku mbroi vendimin e saj për formimin e parakohshëm të KLP-së, duke pretenduar se verifikimi i së shkuarës nga AIDSSH-ja nuk është detyrim ligjor.