Prokuroria Speciale që u krijua me ndërhyrjen e Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut është vënë seriozisht në diskutim pas një skandali korrupsioni.
Media italiane La Verita, publikoi sot pamjet e një videoje ku implikohet në një rast korrupsioni drejtuesja e Prokurorisë Speciale Katica Janeva.
Në video duken Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 dhe Zoran Kiçeec, të cilët i marrin një çantë që mendohet se ka brenda rreth 1 milionë euro biznesmenit Orce Kamçev. Këtij ata i kanë premtuar se me ndihmën e prokurores Janeva do ta lironin ose do t’i zbusnin dënimin.
Hetimet për këtë rast kanë rreth një muaj që kanë nisur, ndërsa sistemi i drejtësisë dhe vetë politika verio-maqedone duket se nuk do ta kalojë lehtë kët moment, pasi Prokuroria Speciale ishte produkt i një marrëveshjeje të mbështetur fort nga përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini për zgjidhjen e krizës politike të viteve të shkuara.
Gazetari i La Verita Laris Gaiser tha në një postim në Facebook se:
La Verita publikoi vetëm një pjesë të historisë që dëshmon se si Bashkimi Evropian, pas mbështetjes për ndërrimin e pushtetit në Maqedoni, për të kufizuar sovranitetin, ka përkrahur vendosjen e Prokurorisë Speciale (prokurores Katica Janeva), e cila që nga fillimi jo vetëm që është përzier ilegalisht në politikë, por edhe zhvat njerëz.
Maqedonia ka problem të madh në rrugën e saj drejt BE-së… vetë BE-në! Mogherini, Juncker dhe bashkëpunëtorët janë fajtorë për nënçmimin e tërë popullit dhe përkrahjen e hapur që e dhanë për ata që janë kundër drejtësisë, drejtësisë që aq zëshëm pretendohet nga Brukseli.
Drejtuesja e Prokurorisë Speciale Katica Janeva dha dorëheqjen më 15 korrik disa orë pasi asaj iu komunikua se dyshohej si e përfshirë në korrupsion.
Asaj iu mor menjëherë telefoni si pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj dy biznesmenë, të cilët në këmbim të miliona eurosh, kishin marrë përsipër të ndërhynin për ta favorizuar dikë tjetër në Prokurorinë Speciale.
Janeva ka drejtuar këtë Prokurori për rreth katër vjet dhe ka udhëhequr luftën kundër krimit të nivelit të lartë në Maqedoninë e Veriut që kur institucioni u formua në 2015 si pjesë e një marrëveshjeje të mbështetur nga Bashkimi Evropian për zgjidhjen e krizës politike atje.
Katica Janeva u besua prej mbështetjes së përfaqësueses së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherinit.
Prokuroria Speciale qe ngarkuar me hetimin e akuzave që rrodhën nga bisedat e përgjuara mes zyrtarëve të qeverisë së Nikola Gruevskit.
Bisedat u publikuan prej partisë Social-Demokrate të Zoran Zaev, i cili mban tashmë postin e Kryeministrit.