Prokuroria e Specializuar e Hagës për të mbështetur aktakuzën do të përdorë 153 dëshmitarë dhe mbi 40 mijë faqe materiale, raporton Radio Evropa e Lirë, në një artikull të botuar më 17 nëntor.
Sot, më 18 nëntor, Dhomat e Specializuara në Hagë do të mbajnë konferencën statusore ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Në seancën e sotme prokuroria do të paraqes provat e saj.
Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizual.
Këto prova do t’i dorëzohen palës mbrojtëse, përfshirë edhe dëshmitarët.
“Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura”, thuhet në këtë parashtresë të botuar në faqen zyrtare të prokurorisë.
Prokuroria në parashtresë thotë se redaktimi i materialeve është diçka që duhet të bëhet me kujdes, si dhe që përkthimi i materialit mbështetës të aktakuzës në gjuhën shqipe është në proces e hetimit.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.
Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës – LDK dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.