Prokurori i dosjes Tahiri, Besim Hajdarmataj deklaroi sot se ka dyshime të bazuara se për llogari të ish-ministrit Tahiri dhe bandës së Habilajve, ka pasur ndërhyrje në sistemin TIMS, sistemi elektornik që regjistron hyrjet dhe daljet në pikat kufitare të vendit.
Sipas Zotit Hajdarmataj, ka hyrje-dalje kufitare të provuara, por që nuk rezultojnë të regjistruara në sistemin TIMS:
“Në TIMS, ka pasur ndërhyrje lidhur me hyrje-daljet jo vetëm të Tahirit, por edhe me personat e tjerë, si është rasti i Moisi Habilaj. Por për këtë do të jap shpjegime të mëvonshme dhe do të zbardhen në fund të hetimit.”
Më tej prokurori Hajdarmataj ka treguar se në ngjarjen e gushtit 2014, ku Saimir Tahiri e Elona Gjebrea janë takuar në Greqi me Artan Habilajn, e më pas të dyja palët kanë kaluar kufirin për në Shqipëri me mjete të ndryshme, por hyrja e Artan Habilajt në Shqipëri nuk rezulton fare në sistemin TIMS.
“Në kohën e kthimit, së bashku me skafin me defekt, nuk është regjistruar në portin e Sarandës që ka hyrë Artan Habilaj, me policin dhe mekanikun.”
Nëse deklaratat e prokurorit janë të vërteta, janë dy skenarët e mundshëm:
1. Hyrja e Artan Habilajt në Shqipëri është regjistruar në sistemin TIMS dhe më pas dikush ka ndërhyrë për ta fshirë atë.
2. Policia kufitare, duke qenë në dijeni se kush është Artan Habilaj, nuk e ka regjistruar fare hyrjen e tij në Shqipëri.
Në të dyja skenaret, përfundimi është mëse i qartë: gjatë gjithë këtyre viteve, policia e shtetit ka qenë me urdhër të ish-ministrit Tahiri në shërbim të bandës Habilaj.