Donika Prela: Prokurorët e dosjes Avdylaj nuk po hetohen, nuk ka hetime për krime zgjedhore

Donika Prela: Prokurorët e dosjes Avdylaj nuk po hetohen, nuk ka hetime për krime zgjedhore

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela deklaroi sot se prokurorët e dosjes Avdylaj, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi nuk janë nën hetim për nxjerrjen e sekretit hetimor.

Në një konferencë për shtyp, zonja Prela tha se nuk ka pasur hetime të veçanta për krime zgjedhore brenda dosjes Avdylaj, pasi ka qenë e pamundur të bëhej ndarja e përgjimeve që kanë lidhje vetëm me zgjedhjet.

Ajo tha se aktualisht numri i personave nën hetim për dosjen Avdylaj është 74, por nuk përmendi nëse ka hetime për kryebashkiakun Dako apo zyrtarët e tjerë të lartë, që dolën në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD.

Zonja Prela bëri një përmbledhje të punës për dosjen Avdylaj deri më tani dhe tha se ka pasur hetime vetëm për veprat penale në lidhje me trafikun e drogës dhe abuzimin me pronat në qarkun e Lezhës.

Disa nga deklaratat kryesore të Prokurores Prela janë:

“Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, më 28 dhjetor 2016, ka regjistruar procedimin penal Nr. 339, për kryerjen e veprave penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikim të narkotikëve në bashkëpunim, sipas nenit 283 të Kodit Penal.

Hetimet, nga momenti i regjistrimit të tij dhe aktualisht, janë kryer nga disa prokurorë. Nga fillimi i procedimit penal deri më 20 nëntor 2017, hetimet janë kryer nga prokurori Anton Martini dhe 2 oficerë të policisë gjyqësore.

Gjatë hetimeve të kryera në këtë periudhë, e cila përfshin dhe periudhën kohore të zgjedhjeve të përgjithshme, qershor 2017, janë regjistruar hetime vetëm për veprat penale të ‘trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim’.

Nga 20 nëntor 2017 deri më 21 nëntor 2018, hetimet janë kryer nga prokurori Besim Hajdarmataj dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore.

Me urdhërin e 5 marsit 2018 të prokurorit të çështjes është vendosur regjistrimi i veprave penale për ‘grup të strukturar kriminal’.

Po kështu, me dy urdhëra të prokurorit të çështjes është vendosur regjistrimi i emrave të personave, që i atribuohet vepra penale, për 13 subjekte në urdhërin e parë, dhe 8 subjekte në urdhërin e dytë, për kryerjen e veprave penale të ‘prodhimit dhe shitjes së narkotikëve’, ‘trafikimit të narkotikëve’, ‘korrupsion aktiv në zgjedhje’, ‘grup i strukturuar kriminal’, ‘korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë’, ‘korrupsion pasiv i funskionarëve të lartë shtetërorë’.

Pas largimit të Hajdarmatajt, janë caktuar për hetimin e dosjes prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Dritan Prençi ka qenë prokuror dhe për disa procedime të tjera penale, që janë bashkuar gjatë hetimeve me procedimin 339.

Brenda më pak se 20 ditë, nga prokurorët e çështjes janë regjistruar emrat e 40 subjekteve si të dyshuar për vepra penale të ndryshme, si prodhim dhe shitje të narkotikëve, trafikim të narkotikëve, falsifikim të dokumenteve, vulave, shpërdorim detyre, shpërdorim toke.

Po kështu në fund të tetorit 2018, prokurorët kanë kërkuar 44 masa sigurimi nga gjykata, të cilat janë vendosur.

Janë administruar gjithsej 624 CD me regjistrime të përgjimeve elektronike dhe 150 DVD.

Në momentin e ngritjes së grupit hetimor, pra në periudhën tetor 2018, të gjitha CD-të e administruara kanë qenë të patranskiptuara në tërësi dhe në vijimësi. Por ka pasur transkipte të pjesshme, vetëm të disa numrave të veçantë, në mënyrë sporadike.

Në këtë periudhë është konstatuar se janë kryer hetime të hapura vetëm për veprat penale të trafikimit të narkotikëve të kryera në qytete të ndryshme të vendit, si dhe abuzime me pronat në zonën e Lezhës.

Aktualisht numri i personave nën hetim ka arritur në 74.

Ndërsa për veprat e tjera penale, përfshirë dhe veprat penale në fushën e zgjedhjeve, nuk ka patur hetime të hapura, me përjashtim të përgjimeve që nuk kanë qenë të transkiptuara. 

Hetimi i veçantë dhe i pavarur i veprave penale për zgjedhjet ka qenë objektivisht i pamundur, pasi nuk mund të bëhej dhe nuk mund të bëhet ndarje e transkripteve për këtë veprë penale, sa kohë që element të saj janë konstatuar të ndërthur me subjekte të përgjuara për vepra si trafik të lëndëve narkotike, kryer në formën e grupit të strukturar kriminal.

Janë duke u bërë hetime edhe për faktet penale të nxjerrjes dhe publikimit të akteve sekrete hetimore. Prokurorët e çështjes nuk janë në hetim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>