Një sipërmarrës i njohur turk Adnan Polat ka paditur Sinan Idrizin, një prej pronarëve të kompanisë AirAlbania, për mashtrim financiar.
Sipas gazetës turke Hurriyet, Polat, ish-President i Galatasaray, ka paditur në Stamboll Idrizin pasi ai i ka marrë $3,5 milionë si garanci për blerjen e kompanisë koncesionare të markimit të naftës në Shqipëri, GFI Albania, në vitin 2016.
Blerja e kompanisë nuk u finalizua asnjëherë, por Idrizi ka refuzuar t’ia kthejë paratë mbrapsht.
Çfarë dimë deri tani për rrjedhjen e ngjarjeve?
Adnan Polat ka takuar Sinan Idrizin në vitin 2016.
Idrizi i ka thënë Polatit se njeh një kompani tregtimi nafte, Global Fluids International, GFI, e cila në Shqipëri po punon shumë dhe është fitimprurëse.
Idrizi i ka premtuar Polatit se mund ta ndihmojë ta blerë GFI-në.
Vlera totale e kompanisë ishte 17 milionë dollarë. Si fillim Polati duhet të linte 3,5 milionë dollar si garanci dhe nëse shitja nuk finalizohej asnjëherë, kjo garanci do t’i kthehej.
Pas përgatitjes së një draft-marrëveshjeje në nëntor 2016, Idrizi i ka kërkuar Polatit që paratë, 3,5 milionë dollarët si garanci, t’ia kalojë Idrizit, i cili do ja jepte kompanisë me mirëbesim dhe si ndërmjetës, duke evituar kështu kalimin e parave përmes bankës nga Polati tek kompania.
Polati ia ka dërguar paratë Idrizit në nëntor 2016.
Idrizi është munduar të shtyjë blerjen e plotë të kompanisë duke I thënë Polatit se në Shqipëri kishte zgjedhje, ndaj kompania do të shitej pas zgjedhjeve të 2017-ës.
Edhe pas zgjedhjeve të 2017-ës, marrëveshja mes Polatit dhe GFI-së nuk u finalizua. Atëherë Polati ka kërkuar mbrapsht 3,5 milionë dollarët nga Idrizi. Por ky i fundit nuk ka pranuar t;ia kthejë.
Pas refuzimit për kthimin e parave, Polati ka bërë padi në prokurorinë e Stambollit për mashtrim dhe kanë nisur hetimet.
Kush është Sinan Idrizi?
Deri në vitin 2018, Sinan Idrizi ishte një emër i panjohur për publikun. Ai nuk kishte asnjë aktivitet në Shqipëri dhe nuk është shprehur të ketë ndonjë biznes në ndonjë vend tjetër të botës. Në disa pronocime publike në 2018-ën, ai është shprehur se ka lidhje biznesi në Turqi, ku dhe ka jetuar për shumë vite para se të kthehej në Shqipëri në vitin 2014, por nuk ka dhënë asnjë detaj apo referencë publike.
E vetmja gjë që dihej për të është se nga viti 2014 ai është një nga pronarët dhe administrator i Klubit të Futbollit Flamurtari. Sidoqoftë, askush nuk e di se nga vinin paratë me të cilat ai financon Flamurtarin. Si president i Flamurtarit, ai u dënua në muajin maj 2018 nga Federata Shqiptare e Futbollit për të mos marrë pjesë për 16 muaj në asnjë aktivitet sportiv për ushtrim dhune ndaj një gjyqtari.
Në 2018-ën, befas, ai u bë një prej pronarëve të kompanisë Air Albania, bashkë me Albcontrol sha dhe Turkish Airlines.
Cila është kompania GFI Albania?
GFI Albania është kompania koncesionare e markimit të karburantit dhe naftës bruto në Shqipëri. Ajo fitoi koncesionin 10-vjeçar të markimit të karburanteve në vitin 2011, dhe aktiviteti nisi në vitin 2013.
Sipas OraNeës, tregatarët e shumicës i paguajnë GFI-së 614 lekë plus TVSH-në, për një mijë litra naftë dhe karburant të markuar.
Kostot e këtij koncesioni shkarkohen tërësisht mbi konsumatorin shqiptar, të cilët paguajnë një kosto shtesë prej rreth 10 milionë eurosh në vit për këtë taksë.