Propaganda e gënjeshtërt e Ramës, BE nuk e ka ndaluar eksportin e materialeve mjekësore

Nga Exit News
Propaganda e gënjeshtërt e Ramës, BE nuk e ka ndaluar eksportin e materialeve mjekësore

Ndryshe nga sa pretendon Kryeministri Rama, Bashkimi Evropian (BE) nuk i ka ndaluar eksportet e materialeve mjekësore për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian (KE) ua ka kaluar vendimmarrjen shteteve anëtare, të cilat mund të vendosin vetë të lejojnë apo ndalojnë eksportet në varësi të gjendjes së emergjencës në të cilën ndodhen përballë koronavirusit.

Të martën Kryeministri Rama u ankua se BE-ja po “e përjashtonte Ballkanin nga aksesi tregtar” për mallrat mjekësore dhe se kundër kësaj politike ai kishte thirrur vendet e tjera të rajonit për të ndërmarrë një nismë të përbashkët.

Këtë qëndrim përkrahu edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili pohoi se i kishte kërkuar ndihmë Presidentit kinez Xi Jinping.

“Ky vendim [përjashtues] është ndërmarrë nga të njëjtët që na bëjnë leksione të mos blejmë prdukte nga Kina. Kur ata [BE] duan para nga Serbia kërkojnë që të ndryshohen kushtet nëpër tendera në mënyrë që t’i fitojnë komapni Evropiane. Ndërsa në situata vështirësie, paratë e Serbisë nuk bëjnë punë […] ne nuk është se do i merrnim falas ato produkte [mjekësore].”

Krejt ndrysha nga çka propaganduan dy udhëheqësit nga Ballkani, KE po shqyrton të gjitha mundësitë se si ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor.

Sot me inciativë të kancelarit austriak Sebastian Kurz, u zhvillua një video-bisedë me të gjithë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe eurokomisionerit Oliver Varhelyi. Komisioneri shkroi në Twitter se gjatë diskutimeve u sigurua:

“[…] gatishmëria e BE-së për të mbështetur rajonin në përballimin e epidemisë së koronavirusit dhe impaktit të saj. Po shqyrtojmë si ta bashkangjisim Ballkanin Perëndimor në nismat që po ndërmerr BE-ja.”  

Ndryshe, Kryeministri Rama shkroi në Facebook se gjatë bisedës ishte diskutuar edhe për “garantimin e aksesit të vendeve të rajonit në tregun evropian të importeve mjekësore”.

Për përballimin e epidemisë së koronavirusit në Shqipëri, Rama ka ndaluar eksportet e barnave dhe produkteve mjekësore të domosdoshme mjekësore që parandalojnë infektimin nga koronavirusi si: maska, dorashka, syze dhe veshje mbrojtëse.

Më 14 mars Komisioni Evropian (KE) kërkoi që një politikë të ngjashme ta ndërmerrnin edhe vendet e BE-së, me diferencë që të mos ishte Brukseli që të vendoste bllokim total të eksporteve, por në mënyrë të decentralizuar vetë shtetet anëtare.

Kështu asnjë shtet jo-anëtar nuk mund të importojë materiale mjekësore nga BE-ja pa pasur autorizim të veçantë nga shteti me të cilin do të hyjë në marrëdhënie tregtare.

Sipas vendimit të KE-së, çdo shtet anëtar do të mbështesë nevojat e BE-së për të përballuar pandeminë e koronavirusit, por edhe Organizatën Botërore të Shëndetit, apo vendet e tjera, kjo në varësi të nevojave.

Prej fundjavës, Evropa është kthyer epiqendër e pandemisë së koronavirusit në botë. Numri i të infektuarve, sidomos në Itali, po shtohet me mijëra çdo ditë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>