Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nuk e ka mbajtur premtimin për ndërtimin e tregjeve moderne të fruta-perimeve, në 24 njësitë e kryeqytetit, investim ky që sipas tij do t`i jepte fund fenomenit të shitjes në rrugë.
Që sapo erdhi në krye të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj nisi luftën kundër informalitetit, luftë e cila shkoi deri aty sa preku shtresën e varfër të shoqërisë, duke i marrë me forcë komunitetit rom kasollet e tyre “të paligjshme” e shitësve ambulantë burimin e tyre të vetëm të të ardhurave, tezgat në të cilat shisnin fruta-perime.
Qëndrimi zyrtar i bashkisë ishte se tregtarët e fruta-perimeve nuk duhet të shesin më në rrugë, por duhet të vendosen në tregjet e reja moderne dhe me kushte që do të ndërtojë bashkia për to. Në këto tregje, tregtarët do të paguanin qira dhe taksa të tjera në këmbim të një vendi shitjeje.
Gjatë prezantimit të punimeve për tregun në rrugën Mine Peza në vitin 2017, Veliaj u shpreh:
“Në fund të vitit tjetër ne do të kemi përfunduar të 24 njësitë me tregje moderne ku të ndahemi njëherë e mirë nga një eksperiencë 100 vjeçare e shitjes në rrugët e Tiranës.”
Por emisioni investigativ Boom ka vizituar të gjitha njësitë në Tiranë dhe ka parë se tre vjet pas premtimit të Veliajt, situata në pjesën më të madhe të tregjeve nuk ka ndryshuar. Për shkak të mungesës së investimeve, infrastruktura dhe higjena mungojnë tërësisht.
Tregtarët e fruta-perimeve në Kombinat, të cilët vijnë nga fshatrat përreth, akuzojnë bashkinë se i ka mashtruar dhe se vazhdon të bëjë propagandë boshe me projekte imagjinare, ndërsa në realitet asgjë nuk ka ndryshuar.
Ata shprehen të indinjuar nga fakti se edhe pse bashkia nuk ju ka ndërtuar një treg ku të punojnë, policia bashkiake i sekuestron mallin, madje edhe i gjobit.
Një prej shitësve u shpreh për emisionin Boom:
“Deri tek Erioni vajti kjo punë dhe u kthye që do bëhet, i dërguam faturat dhe të gjithëve këtyre që kishin shkruar i dhanë nga një letër. Do bëhet, po bën dy vjet, tre vjet.
Ne nuk kemi zgjedhur kryebashkiakun e Tiranës për estradë e për teatër që më del atje më bën bërr bërr, mbjell pemë, në një krah i shkul e në një krah i ngul. Vënë nja 200 policë s`dinë gjë tjetër, vjen merr mallin këtu, si me qenë pa Zot. Me atë po jetojmë.
Ku është tregu këtu? I premtoi kombinattit, nga kombinati vijnë shumë fshatra, Peza, Ndroqi, Vaqarri s`ka bo fare treg.”
Në mungesë të tregjeve të fruta-perimeve, një pjesë e tregëtarëve, punojnë brenda tregjeve të përzier, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të tregëtoj në rrugë, jashtë të gjitha kushteve.