Deputeti Enver Roshi ka propozuar që deputetët të vaksinohen më shpejt, por propozimi i tij është rrëzuar nga kryeministri Edi Rama.
Gjatë një konference me gazetarët, të premten, Rama tha:
“Asnjë deputet, asnjë ministër, asnjë drejtor, që nuk është mbi 75 vjeç, nuk do ta marrë vaksinën para”.
Deputeti Roshi kërkesën ia kishte parashtruar kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.
Argumenti i Roshit për këtë kërkesë është se për shkak të takimeve me elektoratin, deputetët ekspozohen ndaj një rreziku të lartë:
“Të hartohet një listë për ne, edhe për ata deputetë që nuk e kanë kaluar e për grupe të tjera, që të mos preken deputetët nga Covid-i, që të vaksinohemi, të jemi në grupet prioritare, jo para atyre që janë në frontin e luftës, por në vijën e dytë apo të tretë të përfshihen deputetët për t’u vaksinuar me vaksinën anti-Covid”.
Në një prononcim për A2, Roshi tha se propozimi i tij kishte qenë në parim. Ai u shpreh se prioritet në vaksinim duhet të kenë mjekët, moshat e treta dhe mësuesit.
Roshi është një ndër deputet që u prek nga Covid-19.