Propozimi McAllister plus, opozita e pranon, por jo shumica

Propozimi McAllister plus, opozita e pranon, por jo shumica

Një njoftim i sotëm i opozitës hedh dritë mbi përpjekjet për zgjidhjen e krizës që janë zhvilluar nga Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee. Sipas njoftimit të opozitës, Yee ka paraqitur të hënën mbasdite një “një propozim të integruar” për daljen nga kriza politike në vend, të referuar si “McAllister plus”.

Ky propozim përfshinte 15 pikat e “planit McAllister”, përjashto propozimin për zgjedhjen e presidentit, çfarë tani është tejkaluar, si dhe propozimin prej 7 pikash të paraqitur nga Kryeminsitri Rama në takimin me kryetarin e opozitës Basha të ndërmjetësuar nga Presidenti Nishani të para dhjetë ditëve.

Hoyt Yee u ka dhënë të dyja palëve një afat prej 24 orësh për pranimin pa ndryshime dhe diskutime të propozimit të integruar.

Dje paradite, kryetari i opozitës Basha ka pranuar planin në emër të koalicionit opozitar, duke kërkuar që të konsiderohet mundësia e identifikimit biometrik të votuesve gjatë votimit.

Kjo kërkesë është hedhur poshtë menjëherë nga Ambasadori Lu, i cili ka njoftuar opozitën se paketa ose duhet pranuar e tëra ose duhet hedhur poshtë e tëra, pa asnjë ndryshim të mëtejshëm.

Zoti Basha ka konfirmuar pranimin e paketës edhe nëse nuk arrihet identifikimi biometrik i zgjedhësve, dhe ka rikonfirmuar gadishmërinë e opozitës për të votuar komisionet e vetingut menjëherë pas arritjes së marrëveshjes.

Njoftimi i opozitës bën me dije se pas kalimit të afatit 24 orësh të vendosur nga Hoyt Yee për pranimin ose jo të paketës së integruar “McAllister plus”, Kryeministri rama ka paraqitur një kundërpropozim.

Opozita nuk e ka pranuar këtë propozim dhe ka kërkuar që Kryeministri Rama të pranojë propozimin “McAllister plus” për zgjidhjen e krizës.

Propozimiet kryesore të paktës së integruar “McAllister Plus”

Propozimet kryesore të paktës McAllister:

  • Të shtyhet data e zgjedhjeve për më 16 korrik;
  • Në qeveri të përfshihen katër ministra teknikë, të propozuar nga Kryeministri dhe të miratuar nga PD;
  • Opozita të propozojë kreun e ri të KQZ-së;
  • Opozita të propozojë Avokatin e Popullit;
  • Opozita të votojë në Kuvend përbërjen e komisioneve të vetingut menjëherë pas marrëveshjes;
  • Të kriminalizohet shitblerja e votës duke ndryshuar kodin penal;
  • Të largohen drejtuesit e policisë të dyshuar si të korruptuar apo lidhur me trafikimin e drogës;
  • Të krijohet nën drejtimin e OSBE-së një tryezë e OJQ-ve për monitorimin e zgjedhjeve.
  • Ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të garantuar standardet e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme;
  • Krijimi i një ministrie të re speciale, të drejtuar nga një figurë politike e zgjedhur nga opozita, e cila do të merret me zbatimin e kushteve për votimin elektronik;
  • Ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike;
  • Ndryshime në Kodin Penal, dënime më të ashpra për blerjen e votës, fotografimin e fletës së votimit dhe krime të tjera lidhur me zgjedhjet.
  • Burime shtesë për KQZ-në për të monitoruar financimin e zgjedhjeve dhe transparencën e shpenzimeve, duke përfshirë auditues ndërkombëtarë për financimin e fushatës së partive politike dhe ndryshime të mundshme në ligjet përkatëse;
  • Strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe 12 Zëvëndës Drejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP;
  • Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit;
  • KQZ ekzaminon kandidatët për deputet nëpërmjet personelit shtesë, me mbështetje ndërkombëtare;
  • Angazhimi i SHBA dhe partnerëve të tjerë për t’u dhënë kryetarëve të partive politike rekomandime të mbështetura mbi të dhënat penale të kandidatëve;
  • Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitotorimit të regjistrit të zgjedhësve;
  • Mbështetje ndërkombëtare për KQZ-në për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës, për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës;
  • Mbështetje ndërkombëtare për vëzhgimin e rolit të medias në zgjedhje dhe caktimin e segmenteve orare në media. Ndalimi i transmetimeve të videokasetave të partive politike të regjistruara më parë pa identifikim të qartë.

Propozimet kryesore të Kryeministrit Rama:

  • Opozita të propozojë një zëvendës kryeministër;
  • Zëvendës kryeministrit i propozuar nga opozita të ketë qasje dhe të monitorojë drejtoritë arsmore, shëndetësore dhe të burgjeve për të verefikaur mospërfshirjen e tyre në aktivitete elektorale;
  • Një grup-pune i përbërë nga tre përfaqësues nga SHBA, BE dhe OSBE të monitorojnë mospërdorimin e pasurive shtetërore në zgjedhje;
  • Opozita të propozojë katër zëvendës ministra teknike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>