Organizata e shoqërisë civile “Reporterët pa Kufij” (RSF) dënoi dhunën e policisë kundër gazetarit të RD-së Bledi Kasmi, të shtunën, gjatë protestës së opozitës, ku u kërkua dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Me anë të një postimi në Twitter, Reporterët pa Kufij shprehen se Kreyministri Rama “duhet të dënojë publikisht përdorimin e dhunës nga policia.”
Kjo gjë ka pak shanse të ndodhë, pasi Kryeministri Rama, prej kohësh tashmë, ka kultivuar një gjuhë urrejtjeje ndaj shtypit të lirë, të cilin ai shpesh e tall dhe ofendon teksa flet nga televisioni i tij personal. Pak ditë më parë, dhe Autoriteti i Komunikimeve Publike dhe Postare (AKEP) censuroi një faqe interneti që satirizonte qeverinë Rama.
RSF në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur zërin për lirinë e shtypit në Shqipëri. Në raportin vjetor të vitit 2017, RSF e quajti autoritetin rregullator të medias AMA të “politizuar” dhe mediat “vetëm pjesërisht të lirë”, ndërsa një raport i kohëve të fundit zbuloi se mediat shqiptare janë të kontrolluara nga një grup i vogël oligarkësh, të gjithë të lidhur me Qeveria Rama, fakt që lidhet direkt me mungesën e lirisë dhe vetë-censurën e mediave dhe gazetarëve.
Ambasada e BE-së në Shqipëri deri tani nuk ka reaguar ndaj dhunës që policia ushtroi ndaj gazetarit, gjatë protestës së 26 majit.