Qindra banorë të zonës së Unazës së Madhe kanë 28 ditë të cilët protestojnë për kompesimin e drejtë të vlerës së ndërtesave që do të prishen. Prishja e banesave është justifikuar nga qeveria me qëllim për zgjerimin e rrugës për projektin e Unazës së Madhe.
Më poshtë, Exit.al sjell faktet që dimë deri më tani për këtë çështje.
Si kanë rrjedhur ngjarjet:
1 nëntor 2018 – Zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Policia Bashkiake kanë bërë shenja në formë kryqi në disa ndërtesa në anë të Unazës së Madhe. Të pyetur nga pronarët e tyre për këtë veprim, oficerët i kanë thënë banorëve se duhet të linin shtëpitë e tyre brenda 15 ditëve, në mënyrë që t’i hapnin rrugën ndërtimit të unazës. Sipas oficerëve, pronarët kishin dy zgjedhje: t’i shembnin vetë shtëpitë e tyre, ose ta linin qeverinë ta bënte shembjen dhe të paguanin një gjobë prej rreth 5 mijë eurosh për shërbimin.
4 nëntor 2018 —Të alarmuar, banorët nisën një protestë të paorganizuar.
7 nëntor 2018 — Exit.al zbuloi informacione të reja mbi shpalljen e kompanive fituese për tre lotet e projektit. Me këtë informacion, dalin në dritë problematika të tjera. Kostoja totale e projektit arrin në rreth 40 milionë euro për një rrugë 2.2 km të gjatë, e cila është një kosto jashtëzakonisht e lartë dhe detajet se si do të ndahet kjo kosto në zëra nuk janë bërë ende publike.
Pesë institucione qeveritare të përfshira në këtë proces njoftuan se projekti kërkon shembjen e 317 pronave private, 123 prej të cilave janë legalizuar, 22 të skualifikuar nga legalizimi dhe 163 ende në procesin e legalizimit.
Dhjetë banorë u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Numër 6, në Kombinat. Banorët, mes të cilëve dhe të moshuar dhe një grua shtatzënë u akuzuan se kanë organizuar protestë, pa marrë leje në organet përkatesë.
13 nëntor 2018 — Banorët protestuan përpara Bashkisë Tiranë. Policia, në orët e pasdites, shoqëroi katër banorë të zonës së Astirit në Komisaratin nr. 6. Ata u akuzuan për “tubim të paligjshëm”. Qytetarët u mbajtën në rajon deri pas mesnate dhe më pas u liruan.
Pas protestës së qytetarëve para Bashkisë, kryebashkiaku Veliaj i quajti protestuesit “shpellarë” dhe “primitivë”, duke shprehur vendosmërinë e tij në zbatimin e një projekti që qeveria ende nuk e ka zbuluar.
Po të njëjtën ditë, kryebashkiaku Veliaj premtoi kompensim për pronarët e ndërtesave plotësisht të legalizuara dhe i ofroi pagesën e qirasë për tre vjet, banorëve të tjerë. Procesi i legalizimit për ndërtesat e tjera u ndalua. Deri më tani nuk ka asnjë dokument zyrtar që tregon se Veliaj ka nisur procedurat për të zbatuar premtimet e tij.
Kryebashkiaku Veliaj gjithashtu premtoi “bonuse” për familjet shtëpitë e të cilave do të shkatërrohen.
15 nëntor 2018 — Banorët e Astirit protestuan sërish para Bashkisë së Tiranës. Qytetarët i bënë thirrje kreut të Bashkisë Veliaj të tërhiqet nga vendimi për tu prishur banesat e tyre, për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.
17 nëntor 2018 – Qeveria i ndërpreu energjinë elektrike ndërtesave që pritet të shemben.
22 nëntor 2018 – Pas protestave të tyre të përditshme, banorët e zonës Astir u mblodhën para Parlamentit në një protestë më të madhe. Përleshjet me forcat e policisë çuan në disa protestues dhe policë të plagosur, si dhe dhjetëra protestues të arrestuar.
Në fjalimin e tij në Parlament teksa jashtë banorët protestonin, kryeministri Edi Rama u tha protestuesve se shtëpitë e tyre të paligjshme do të shkatërroheshin pa asnjë kompensim dhe se vetëm 40 ndërtesa të legalizuara do të marrin kompensim.
Kryeministri Rama kërcënoi se qeveria do të ngrejë padi kundër atyre që kanë legalizuar këto ndërtesa. Kryeministri Rama përsëriti “bonusin”, qiranë 3-vjeçare si zgjidhje për familjet në nevojë që kanë shtëpi të paligjshme.
23 nëntor 2018 — Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare publikoi një tabelë prej 10 rreshtash, duke dhënë informacion më të hollësishme për koston e rrugës. Në fakt, tabela ofron vetëm një ndarje të pjesshme të shpenzimeve të projektit, por është larg kërkesave minimale për transparencë. Banorët e Astirit bllokuan edhe këtë pasdite për më shumë se një orë rrugën tek Unaza e Re,dhe në të njëjtën kohë policia ndërpreu ndriçim e rrugës së Astirit.
25 nëntor 2018 – Në ditën e 22-të të protestës, banorët e Astirit protestuan pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në kohën kur në gjykatë do të jepet masa e sigurisë për të ndaluarit e protestës së Astirit përpara kuvendit, banorët kërkuan lirimin e tyre. Në përfundim të seancës gjyqësore, 11 banorë u liruan, ndërsa djali i cili gjuajti me kapsoll dhe si pasojë u plagos një punonjëse policie, mbeti në burg.
26 nëntor 2018 — Banorët ndaluan punonjësit e ARRSH-së të cilët do të verifikonin banorët me dokumentacionin e pronësisë. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në takimin me Asamblenë e Forumit të Gruas Socialiste të Tiranës, u shpreh se projekti nuk do të ndalojë.
Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS), organizata kryesore që punon për të dhënat e hapura në Shqipëri, i kërkoi zyrtarisht ARRSH-së të bëjë publike gjithë informacionin mbi projektin dhe procedurat e ndjekura nga ARRSH në lidhje me të.
27 nëntor 2018 – Banorët u përplasën me Policinë Bashkiake, pasi këto të fundit kanë vijuar me punimet në këtë zonë. Banorët i dërguan një letër kryeprokuores Arta Marku ku i kërkuan të nisë hetimet për të paktën dy vepra penale: korrupsion dhe shpërdorim detyre. Policia shoqëroi pesë prej banorëve në Komisariatin numër 6 dhe 3.
28 nëntor 2018 – Banorët rrëzuan të gjitha blloqet e betonit të vëna nga kompanitë që kanë fituar tenderët për të ndërtuar projektin e Unazës së Madhe. Ndërsa deputetja Vokshi denoncoi se pjesmarrësit në takimin me Kryebashkiakun Veliaj ishin punonjës të policisë bashkiake dhe jo banorë të zonës. Policia e kryeqytetit arrestoi dy prej protestueve, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë 20 të tjerë. Mbasdite, Bashkia e Tiranës shpërndau videon sesi Ukë Çelkolaj, banorë i Astirit kishte vendosur që të shembte banesën e tij, duke mbajtur fjalën e dhënë Veliajt. Por dy godinat që Uka pretendonte se ishin banesa, ishin kasolle që përdoreshin për qëllime biznesi.
30 nëntor 2018 – Banorët e zonës së Astirit bllokuan sërish të dy akset e rrugës gjatë protestës. Opinion.al publikoi dokumentin zyrtar me firma e vula të hartës së Unazës e Re ku tregohet se do të shemben 317 banesa.
1 dhjetor 2018 – Banorët vazhdojnë protestat në zonën e Astirit. Policia menjëherë pas mbylljes protestës arrestoi disa banorë dhe i shoqëroi në komisariatin numër 3 dhe 6.
2 dhjetor 2018 – Policia arrestoi në mënyrë krejt të beftë dhe me dhunë, vetëm pak pasi kishte përfunduar protesta, disa banorë të zonës së Astirit.