Në fundjavë, u zhvillua protesta e rradhës e banorëve të zonës Zall-Gjoçaj dhe fshatrave përreth. Në orët e para të mëngjesit, banorëve ju bashkuan edhe bashkëfshatarët e tyre të ardhur prej vitesh në Kamëz dhe Tiranë. Tashmë prej më shumë se një viti përpjekjesh dhe mbi 20 ditësh qëndresë në çadrën e ngritur në fshatin Melth, banorët vazhdojnë të kundërshtojnë fuqimisht ndërtimin e hidrocentraleve (HEC) Sekë dhe Zais, të cilët ia marrin zonës rreth 96% të rrjedhës. Siç shprehen dhe banorët plani është që uji të merret nga burimi, të futet në tunel që të derdhet në lumin e Urakës, të kalojë në një tunel të dytë e më pas të derdhet në njërin prej HEC-eve të ndërtuara në Mirditë. Ky ndërtim do të devijojë nga rrjedha e saj natyrale dy lumenjtë (Urakës dhe Zallit të Melthit) me një gjatësi prej 23 km duke lënë te paktën 11 fshatra pa të vetmin burim uji të pijshëm.
Zall-Gjoçaj është shpallur Park Kombëtar i kategorisë së II që në vitin 1996, me vendim nr. 102, me një sipërfaqe prej 140 ha. Në vitin 2018 me vendim të Këshillit të Ministrave ky park do të bashkohej me parkun e Lurës, duke krijuar Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, me sipërfaqe prej 20,242.78 ha. Kjo zonë e zgjeruar nga bashkimi i dy parqeve do të përfshinte sipërfaqe me tokë pyjore, shkurre, kullota dhe sipërfaqe ujore. Sipas vendimit të 31 tetorit 2018, në të cilin ritheksohet se shkalla e mbrojtjes është e kategorisë së dytë, nuk duhen lejuar ndërtimet dhe veprimtaritë që shkaktojnë ndryshimin e gjendjes natyrore të ekosistemit. Çdo ndërtim infrastrukturor duhet të respektojë funksionet e zonës së mbrojtur, vlerat ekologjike dhe ato të peizazhit natyror e kulturor. Por më 3 tetor 2018 qe dhënë leja e ndërtimit për HEC-et Sekë dhe Zais në bashkinë Mat dhe Mirditë.
Banorët të revoltuar nga cënimi që u bëhet në ujë dhe në natyrë, përveç protestave dhe përpjekjeve për takime, kanë dorëzuar në Gjykatën Administrative padinë për ndalimin e ndërtimit të dy HEC-eve të lartpërmendur. Një ndër pretendimet e forta të tyre është se nuk janë zhvilluar konsultimet publike paraprake dhe nuk janë pyetur për ndërtimet e HEC-eve. Sipas tyre kompania private ka marrë firma të fshatarëve të zonave përreth dhe që s’kanë asnjë lidhje me çështjen, duke shmangur kështu përballjen reale me banorët e prekur.
Ndërtimi i HEC-it Zais dhe HEC-it Sekë për interes të kompanisë Seka Hydropower (zotëruar nga Bardhyl Muçeku dhe IDROP (Paolo Vincenti, Lorella Olivero, Antonella Vincenti etj.) sipas deklaratave të banorëve e shkatërron funksionin e zonës së mbrojtur, duke e zhveshur atë krejtësisht nga vlerat ekologjike. Uji që po shfrytëzohet aktualisht furnizon rreth 10,200 banorë, 5,000 bagëti e shumë lloje të tjera kafshësh të egra, si dhe rreth 4,000 bletë. Përveç kësaj, ka vlera kurative për komunitetin. Duke u hequr të vetmin burim uji për zonën e Zall-Gjoçajt dhe fshatrat përreth, fshati rrezikon të braktiset.
Banorët në protestë thonë se prej 30 vitesh kjo zonë ëshë lënë në harresë të plotë nga shteti. Krejtësisht e izoluar për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe rrugëve, uji është përdorur si premtim elektoral i gjithëkohshëm, nëpërmjet të cilit kanë fituar votat për të ardhur në pushtet. Por sot, të zhgënjyer e të ofenduar nga pushteti qendror dhe ai lokal, ata nuk kërkojnë asgjë tjetër nga shteti përveçse të tërhiqet plotësisht nga planet e ndërtimit të hec-eve.
Një nga banorët në seancën e parë të gjyqit në Gjykatën Administrative u shpreh:
“Populli është i revoltuar, i acaruar në konflikt. Mua, me gomarë, me qindra herë kam rënë në ata dy lumenj e kam larë kokën në të, se s’kam pas ujë për të larë rrobat. Merret nga Zalli i Gjoçajve dhe bëhet një devijim prej 23 km dhe largohet nga shtrati, kur në ato zona nuk ka as ujë të pijshëm, as ujë për bagëti, as ujë për vaditje, e as ujë për bletë. Shteti nuk vuri dorë për të na ndihmuar asnjëherë. Nuk ka problem fare! Atë që na dha natyra edhe krijuesi ta lënë në atë rrjedhë. Nuk i kërkojmë firmës asnjë lëmoshë, as firmës, dhe as shtetit, veç thirrja jonë është të na lënë në punën tonë!”
Banorët kanë bërë me dije se përpjekja dhe qëndresa e tyre si në terren ashtu edhe në gjykata do të vazhdojë. Përplasjet e deritanishme me policinë dhe punonjësit e firmës private veç sa e kanë rritur solidaritetin mes banorëve dhe vendosmëria e tyre për të ndaluar punimet vazhdon.
Me shumë mundësi asnjë pjesë e shoqërisë shqiptare nuk ka protestuar kundër një politike të caktuar kaq gjerësisht në territor sa fshatarët kundër ndërtimeve të HEC-eve. Prej Valbonës e deri në Vjosë, thuajse asnjë ndërtim HEC-i nuk ka kaluar pa protesta.
Përtej kundërthënieve statistikore mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, gazetari hulumtues Artan Rama ka zbuluar se përgjatë dy dekadave të fundit janë miratuar për ndërtim 714 hidrocentrale, ku 223 janë miratuar në vetëm 3 vitet e fundit.
Ndërtimi i HEC-eve është pjesë e politikave evropiane për Ballkanin Perëndimor ku rajoni është udhëzuar për ta zgjeruar mënyrën e prodhimit të energjisë drejt asaj të rinovueshme. Shqipëria është treguar më katolike se Papa në këtë pikë duke qenë më agresivja për nga numri i lejeve të dhëna.
Tashmë edhe Komisioni Evropian, edhe institucionet financiare si BERZH deri te Kryeministri Rama e kanë pranuar ose kritikuar publikisht një politikë të tillë ndërtimi si të gabuar, të dëmshme për mjedisin dhe jo ekonomike për prodhimin e energjisë. Mirëpo, për 364 HEC-e ende nuk kanë nisur punimet. Mund të paramendojmë se fillimi i ndërtimit për secilin prej tyre do të shoqërohet me fillimin e protestave në secilën zonë. Banorët do të denoncojnë faktet se nuk janë pyetur, se firmat janë manipuluar me banorë të fshatrave përreth, dhe se kompanitë janë gjysmë-fantazma të krijuara mes rrjetesh kriminale ndërkombëtare, mafiozë lokal dhe pushteti qendror. Ekzistenca e fshatrave në Shqipëri rrezikohet nga një politikë e tillë energjitike anti-mjedisore.
Botuar më parë në Nyje.al