Protesta me arkivol, gjykata rrëzon akuzat për përhapje paniku

Nga Exit News
Protesta me arkivol, gjykata rrëzon akuzat për përhapje paniku

Gjykata e Durrësit ka rrëzuar akuzat për “përhapje paniku” ndaj dy protestuesve, të cilët në mënyrë simbolike dolën në qytetin e Durrësit me një arkivol ku shkruhej “Shpresa” dhe “Drejtësia për Klodianin”. Protesta e të rinjve erdhi pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj, në 8 dhjetor.

Policia e Durrësit procedoi penalisht dy të rinjtë, me argumentin se kanë përhapur panik.

Argumenti i Policisë është rrëzuar nga Gjykata e Durrësit, pasi nuk u mbështet as nga prokurorja.

Gjykata vendosi se arrestimi i dy të rinjve është i kundraligjshëm.

Avokatja e dy protestuesve, deklaroi për Birn, se akuza ndaj dy të rinjve “ishte ngritur mbi pretendimet e policisë se ishte trembur nga arkivoli i sajuar me mbishkrime proteste”.

Policia e Shtetit, përmes nenit 267 të Kodit Penal: “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, ka kërkuar ndjekje penale për disa qytetarë dhe gazetarë. Kjo ka sjellë edhe reagimin e  organizatave të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Në një artikull, Exit argumentoi se arrestimet e qytetarëve për shkak të postimit në rrjetet e tyre sociale dhe mbyllja e portaleve janë të paligjshëm, pasi nuk ka asnjë ligj që sanksionon arrestimin për postime të tilla. Po ashtu këto arrestime shkelin të drejtat  e njeriut, të sanksionuara në Kushtetutën e vendit dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes.

Gjykata e Durrësit ka dhënë të njetin vendim edhe për shtetasen Xhuljana Aliaj, e cila u ndalua nga Policia e Shtetit në 28 nëntor 2018 me të njejtën akuzë.

Xhuljana u akuzua se përhapi panik, pasi shpërndau një postim në Facebook, ku paralajmëronte një shpërthim në zonën e Porto-Romanos, ku ajo banon.

Aliaj punonte si vullnetare në zonën e Porto-Romanos për regjistrimin e personave të mbetur pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit.

26 vjecarja pasi u ndalua për përhapje paniku, qëndroi në komisariat tre ditë dhe më pas për 11 muaj ajo ishte nën procedim.

Por Gjykata e Durrësit e ka rrëzuar akuzën për përhapje paniku.

Birn ka siguruar vendimin e gjyqtares Besjana Garxenaj, sipas të cilit thuhet se Xhuljana Aliaj kishte kërkuar informacion nga autoritetet shtetërore për situatën, por nuk kishte mundur të gjente të dhëna.

Gjykata  ka vlerësuar se  26-vjeçarja nuk ka pasur për qëllim përhapjen e panikut.

Në një artikull për rastin e Aliajt, Exit shpjegoi se referuar ligjit, është e qartë edhe sikur portali dhe vajza të kishin për qëllim përhapjen e panikut, hetimi apo arrestimi i tyre është shkelje e ligjit dhe dhunim i të drejtave të njeriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>